Një gjykatë në Australi ka vendosur që miliarderja Gina Rinehart, personi më i pasur në vend, duhet të ndajë një pjesë të pasurisë së saj pas një beteje të gjatë ligjore mbi perandorinë minerare që ajo drejton.
Me një pasuri të vlerësuar rreth 38 miliardë dollarë australianë, Rinehart trashëgoi biznesin e hekurit nga babai i saj, Lang Hancock, në vitin 1992 dhe e zhvilloi atë në rajonin e pasur me minerale Pilbara.
Mosmarrëveshja lidhet me projektin “Hope Downs”, një nga minierat më fitimprurëse të hekurit në vend.
Rasti gjyqësor, që zgjati mbi 13 vjet, përfshiu fëmijët e partnerit të biznesit të Hancock, Peter Wright, si dhe dy nga fëmijët e vetë Rinehart. Ata pretendonin se kishin të drejtë mbi një pjesë të të ardhurave dhe të drejtave minerare.
Gjykata Supreme vendosi që të drejtat minerare të mbeten në pronësi të Rinehart, por ajo duhet të paguajë një pjesë të të ardhurave nga honoraret për familjen Wright dhe palë të tjera. Projekti “Hope Downs” operohet nga gjiganti minerar Rio Tinto në bashkëpunim me kompaninë e Rinehart, Hancock Prospecting.
Sipas vendimit, një pjesë e fitimit prej 2.5% që paguhen nga Rio Tinto duhet t’i kalojnë familjes Wright. Gjykatësja theksoi se të gjitha palët fituan dhe humbën pjesërisht në këtë proces.
Ndërkohë, pretendimet e fëmijëve të Rinehart për kontroll mbi të drejtat minerare u hodhën poshtë, megjithëse disa kërkesa për përfitime financiare u pranuan pjesërisht. Vendimi konsiderohet një moment i rëndësishëm në një nga konfliktet më të mëdha familjare dhe financiare në Australi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)