Një sulm kibernetik ka goditur platformën e njohur të rezervimeve online Booking.com, duke rrezikuar të dhëna personale të mijëra përdoruesve në mbarë botën.
Sipas njoftimit të kompanisë me seli në Amsterdam, hakerët kanë arritur të kenë akses në disa informacione të rezervimeve të klientëve, duke përfshirë emrat dhe mbiemrat, adresat e email-it, numrat e telefonit, adresat fizike dhe detajet e rezervimeve të hotelit. Megjithatë, kompania ka sqaruar se të dhënat financiare dhe informacionet e kartave të pagesës nuk janë prekur.
Pas zbulimit të aktivitetit të dyshimtë, Booking.com ka ndërhyrë menjëherë për të kufizuar dëmin, duke ndryshuar kodet e sigurisë për rezervimet dhe duke njoftuar përdoruesit e prekur përmes email-it. Kompania nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të personave të prekur nga sulmi.
Rreziku kryesor për përdoruesit lidhet me mashtrimet online, të njohura si “phishing”, ku persona të rremë mund të dërgojnë mesazhe ose email-e që duken si zyrtare nga Booking.com, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale ose hyrjeve në llogari.
Disa përdorues kanë raportuar se kanë marrë mesazhe të dyshimta, madje edhe në aplikacione si ËhatsApp, ku përfshiheshin detaje reale të rezervimeve, gjë që e bën mashtrimin edhe më të besueshëm.
Ekspertët e sigurisë këshillojnë përdoruesit të mos klikojnë në linke të panjohura, të verifikojnë gjithmonë rezervimet vetëm përmes faqes apo aplikacionit zyrtar dhe të aktivizojnë masat e sigurisë në pajisjet e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)