Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve pro-Iranit dhe policisë pranë Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Karaçi të Pakistanit.
Sipas një mjeku në Spitalin Civil të Karaçit, në urgjencë janë dërguar nëntë trupa të pajetë dhe të paktën 32 persona të plagosur, pas trazirave që shpërthyen pranë kompleksit diplomatik amerikan. Edhe një zyrtar i shërbimit privat të emergjencës konfirmoi se në spital janë transportuar nëntë viktima dhe dhjetëra të lënduar.
Protestat shpërthyen pasi qindra persona dolën në rrugë në Karaçi, Lahore dhe Islamabad, në reagim ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit. Sipas raportimeve, përplasjet nisën kur policia u përpoq të ndalonte demonstruesit të hynin në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Karaçi. Deri tani, autoritetet policore nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare mbi situatën.
Ndërkohë, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara i tha BBC-së se një zyrë e OKB-së është djegur në Gilgit, në rajonin e administruar nga Pakistani, Gilgit-Baltistan. Policia konfirmoi se në zonë është vendosur shtetrrethim pasi qindra persona nisën protesta.
Organizatat shiite kishin paralajmëruar më herët tubime proteste në disa qytete të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Islamabad. Situata mbetet e tensionuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)