Një 27-vjeçar i Kryqit të Kuq italian, me detyrë shofer ambulance, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Forlì për vdekjen e pesë personave të moshuar brenda pak muajsh. Ngjarjet kanë ndodhur gjatë ose menjëherë pas transportit me ambulancë. Akuza ndaj tij është për vrasje me dashje.
Sipas hetimeve, vdekjet kanë ndodhur nga shkurti deri në nëntor 2025, gjatë transferimit të pacientëve. Të gjithë ishin të moshuar me patologji të rënda, të cilët transportoheshin nga shtëpitë e kujdesit drejt spitaleve të zonës. Te një prej viktimave, një grua që dyshohet të jetë rasti i fundit, është kryer autopsia dhe priten rezultatet mjeko-ligjore.
Sipas informacioneve të publikuara nga ANSA, 27-vjeçari do të hetohet për “vrasje të shumëfishta me paramendim, të kryera me substanca helmuese ose mjete të tjera tinëzare”. Hipoteza hetimore është ajo e vrasjeve seriale, të kryera përmes administrimit të substancave potencialisht vdekjeprurëse. Hetimet po zhvillohen nga karabinierët e njësisë operative dhe nga forcat speciale. Në ambulancat ku ai shërbente janë instaluar kamera sigurie, të cilat mund të kenë regjistruar momente kyçe për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas mediave italiane, sinjalizimet e para ndaj autoriteteve mund të kenë ardhur nga kolegë të tij. Shoferi është pezulluar nga detyra. Avokatja e të akuzuarit, Gloria Parigi ka deklaruar se klienti i saj është “i tronditur nga ajo që po del në dritë” dhe se “këmbëngul te pafajësia e tij”. Ai ka kërkuar të merret në pyetje nga prokuroria, duke u vënë në dispozicion të autoriteteve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)