"Është i dobët dhe i tmerrshëm”, Papa Leoni i përgjigjet Trump-it: Nuk kam frikë prej teje!

Ati i Shenjtë komentoi fjalët e presidentit amerikan për gazetarët, para nisjes për një tur në Algjeri, duke thënë “nuk kam frikë prej tij”.

13.04.2026. 11:43

"Është i dobët dhe i tmerrshëm”, Papa Leoni i përgjigjet Trump-it: Nuk kam frikë prej teje!

Shënjestra e re e Donald Trump është Papa Leoni i XIV. Presidenti amerikan e shigjetoi Atin e Shenjtë përmes një postimi të gjatë në platformën Truth Social, ku ndër të tjera e cilësoi të dobët dhe të tmerrshëm, duke shprehur zhgënjimin për qasjen e tij ndaj luftës në Iran.

"Nuk jam një fans i madh i Papa Leonit. Ai është një person shumë liberal dhe është një njeri që nuk beson në luftën kundër krimit", u tha Trump fillimisht gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andreës në Maryland.

Më pas ai akuzoi kreun e Kishës Katolike se "po mbron një vend që dëshiron të ketë një armë bërthamore".

Dhe ai e shtoi dozën e sulmit më pas duke shkruar në Truth Social: "Nuk dua një Papë që mendon se është e drejtë që Irani të posedojë një armë bërthamore."

“Papa Leoni është i dobët në luftën ndaj krimit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme. Leoni duhet të jetë mirënjohës sepse, siç e dinë të gjithë, ai ishte një surprizë tronditëse. Ai nuk ishte në asnjë listë për t'u bërë Papë, dhe u vendos atje nga Kisha vetëm sepse ishte amerikan, dhe ata menduan se ishte mënyra më e mirë për t'u marrë vesh me Presidentin Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan”, nënvizoi Trump.

Ati i Shenjtë komentoi fjalët e presidentit amerikan për gazetarët, para nisjes për një tur në Algjeri, duke thënë “nuk kam frikë prej tij”.

“Nuk kam frikë nga administrata Trump. Unë flas për Ungjillin dhe paqen, dhe për këtë arsye do të vazhdoj të flas kundër luftës. Nuk kam ndërmend të angazhohem në një debat me të", shtoi Papa Leoni XIV gjatë bisedës me gazetarët në fluturimin nga Roma për në Algjer.

Ndërkohë, Presidenca e Konferencës Ipeshkvore Italiane shprehu keqardhje për fjalët që Donald Trump, i drejtoi Atit të Shenjtë.

Në deklaratë, njëjtë si Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të SHBA-së, i kujtohet Trump se Papa nuk është një kundërshtar politik, por pasardhës i Pjetrit, “i thirrur për t'i shërbyer Ungjillit, të vërtetës dhe paqes”.

“Në një kohë të shënuar nga konflikti dhe tensioni ndërkombëtar, zëri i tij përfaqëson një thirrje kërkuese për dinjitet njerëzor, dialog dhe përgjegjësi. Kishat në Itali ripërtërijnë afërsinë dhe dashurinë e tyre me Papën, duke shpresuar për respektin e të gjithëve për të dhe shërbesën e tij”, nënvizohet në deklaratën e Konferencës Ipeshkvore italiane.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)