Vjedhja e një kafke 800-vjeçare të një shenjtori nga një kishë në Jablonec, ka ngritur në këmbë policinë çeke.
Forcat e rendit janë vënë në kërkim të grabitësit që vodhi kutinë e ekspozimit bashkë me kafkën e Shën Zdislavës së Lemberkut brenda. Një foto e paqartë e kameras së sigurisë së kishës, e publikuar të martën vonë duket se tregon një person të veshur me të zeza duke mbajtur reliken.
I dyshuari u pa duke vrapuar midis stolave në bazilikën e Shën Lorencit dhe Shën Zdislavës në Jablonne v Podjestedi, 110 km në veri të Pragës. Policia fillimisht e identifikoi të dyshuarin si burrë, por një zëdhënës më vonë tha se nuk ishin të sigurt dhe po vlerësonin materialin nga kamera e sigurisë.
"Vlera e kafkës së vjedhur po hetohet aktualisht. Megjithatë, vlera e saj historike është padyshim e pallogaritshme", tha Dagmar Sochorova, një zëdhënëse e policisë.
Shën Zdislava e Lemberkut, një fisnike, jetoi nga viti 1220 deri në vitin 1252 dhe ishte e njohur për bujarinë dhe punën e saj për të varfrit. Ajo u shenjtërua nga Papa Gjon Pali II në vitin 1995.
“Ky është një lajm shkatërrues”, tha për agjencinë e lajmeve CTK kryepeshkopi i Pragës, Stanislav Pribyl, i cili gjithashtu drejton dioqezën Litomerice që është përgjegjëse për kishën e Jablonne-s.
“Kafka nderohej nga pelegrinët… Nuk mund ta besoj që dikush praktikisht në mes të ditës të vjedhë nga kisha një relike vlera e së cilës është mbi të gjitha historike dhe gjithashtu shpirtërore për besimtarët”, shtoi ai.
E vendosur në një altar në një faltore anësore, kafka ishte objekt adhurimi për pelegrinët që udhëtonin për në Jablonec ku Zdislava jetoi dhe punoi më shumë se 750 vjet më parë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)