Sipas të dhënave të Frontex, emigracioni i paligjshëm në BE ka rënie të ndjeshme, tre herë më pak se tri vite më parë. Të dhënat e fundit të kësaj agjencie për katër muajt e parë të 2026 vërejnë se ka një rënie prej 40 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për këtë periudhë, rreth 29.000 persona hynë në BE në mënyrë të parregullt, niveli më i ulët në vitet e fundit.
Gjatë vitit 2023 ky numër ishte tre herë më i lartë. Rruga kryesore e hyrjes mbetet ajo nga Mesdheu, me pikenisje Libine dhe mbërritje në bregdetin italian.
Pas saj vjen rruga e Mesdheut Lindor, përmes Turqisë drejt Greqisë dhe Qipros. Të dyja këto rrugë përbëjnë secila afro një të tretën e të gjitha hyrjeve të parregullta në BE. Frontex thekson se rënia e hyrjeve është rezultat i bashkëpunimit me vendet partnere, veçanërisht në bregdetin e Afrikës së Veriut.
Në këmbim të fondeve të BE-së, këto vende po pengojnë largimin e emigrantëve drejt Europës dhe po godasin rrjetet e trafikantëve. Po ashtu, kushtet e vështira të motit në fillim të vitit duket se kanë penguar disa njerëz nga emigrimi i rrezikshëm.
Megjithatë humbjet e jetëve në Mesdhe mbeten të larta. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, deri tani këtë vit më shumë se 1.200 njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)