Autoritetet në Maldive kanë pezulluar operacionin e kërkimit për katër zhytësit italianë të zhdukur në një shpellë nënujore në Vaavu, pasi një ushtarak i përfshirë në mision humbi jetën gjatë ndërhyrjes së rrezikshme.
Sipas autoriteteve, pesë zhytësit italianë dyshohet se humbën jetën teksa eksploronin një shpellë në rreth 50 metra thellësi, shumë më tepër se kufiri i lejuar për zhytje rekreative në Maldive.
Ushtaraku Mohamed Mahudhee, pjesë e Forcës Kombëtare të Mbrojtjes së Maldiveve, ndërroi jetë nga komplikacionet e dekompresimit pas një zhytjeje gjatë operacionit të kërkimit. Autoritetet thanë se kushtet e vështira të motit dhe rrezikshmëria e misionit kanë penguar vazhdimisht përpjekjet për gjetjen e trupave.
Ndërkohë, pritet mbërritja e tre ekspertëve finlandezë të specializuar në zhytje të thella dhe eksplorim shpellash, për të rishikuar strategjinë e kërkimit.
Mes viktimave janë identifikuar pedagogia e ekologjisë në Universitetin e Xhenovës, Monica Montefalcone, vajza e saj Giorgia Sommacal, biologu detar Federico Gualtieri, studiuesja Muriel Oddenino dhe instruktori i zhytjes Gianluca Benedetti. Trupi i Benedettit u gjet pranë hyrjes së shpellës, ndërsa katër të tjerët besohet se ndodhen ende brenda saj.
Autoritetet italiane dhe operatori turistik që organizoi udhëtimin kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dyshohet se zhytja e thellë nuk ishte autorizuar nga autoritetet lokale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)