Aeroplanmbajtëset amerikane pozicionohen 700 kilometra nga Irani

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm praninë ushtarake pranë Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta për shkak të programit bërthamor iranian dhe zhvillimeve të fundit të brendshme në vend.

Burimi: BBC

16.02.2026. 20:41

Aeroplanmbajtëset amerikane pozicionohen 700 kilometra nga Irani

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm praninë ushtarake pranë Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta për shkak të programit bërthamor iranian dhe zhvillimeve të fundit të brendshme në vend.

Sipas verifikimeve me imazhe satelitore që publikon BBC, aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln është lokalizuar në Detin Arabik, rreth 240 kilometra nga brigjet e Omanit dhe afërsisht 700 kilometra nga Irani. Anija, e klasit Nimitz, udhëheq një grup goditës me tre shkatërrues të klasit Arleigh Burke dhe mban në bord rreth 90 avionë, përfshirë avionë luftarakë F-35, si dhe mbi 5,600 pjesëtarë ekuipazhi.

Po ashtu, SHBA pritet të dërgojë në Lindjen e Mesme edhe aeroplanmbajtësen USS Gerald R. Ford, anija më e madhe luftarake në botë, e cila mund të mbërrijë në rajon brenda pak javësh. Sipas të dhënave, aktualisht janë identifikuar të paktën 12 anije luftarake amerikane në rajon, përfshirë njësi në Mesdheun Lindor dhe Detin e Kuq, si dhe forca detare të stacionuara në Bahrein.

Paralelisht është vërejtur rritje e pranisë ajrore amerikane në bazat ushtarake në Jordani dhe zona të tjera të rajonit, me avionë F-15, EA-18 dhe mjete furnizimi në ajër.

Nga ana tjetër, Irani është përgjigjur me manovra detare në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të naftës. Gardat Revolucionare iraniane kanë zhvilluar stërvitje ushtarake, duke demonstruar kapacitete raketore dhe detare.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se kjo lëvizje e SHBA-ve përbën një dislokim parandalues afatgjatë, me kapacitet për operacione intensive ajrore, në rast përshkallëzimi të situatës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)