Djali i Trump vizitë në Bosnje, flet për BE, Inteligjencën Artificiale dhe kriptovalutat

Ambasada e SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë sqaroi se ai nuk ishte në një mision zyrtar.

Burimi: REL

07.04.2026. 21:10

Djali i Trump vizitë në Bosnje, flet për BE, Inteligjencën Artificiale dhe kriptovalutat

Djali i madh i presidentit amerikan Donald Trump, Donald Trump Jr zhvilloi një vizitë në Banja Luka në Bosnje Hercegovinë, ku mori pjesë në një panel diskutimi mbi zhvillimet globale, ekonominë dhe teknologjinë.

Sipas të dhënave, vizita e tij kishte karakter privat dhe synonte takime me biznesmenë nga Republika Sërpska për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve. Këtë e konfirmoi edhe Ambasada e SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë, duke theksuar se ai nuk ishte në një mision zyrtar.

Gjatë fjalimit, Trump Jr. u ndal te tema të ndryshme, përfshirë inteligjencën artificiale dhe kriptovalutat, duke theksuar se këto fusha po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në zhvillimet globale. Ai gjithashtu bëri komente për demokracinë, duke thënë se ajo “jo gjithmonë është ashtu siç duket” dhe se ndonjëherë përdoret për të krijuar tensione politike.

Ai vlerësoi përvojën e tij në rajon, duke shtuar se vizitat në vende si Republika Sërpska mund t’i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë më mirë realitetin politik dhe shoqëror në botë.

Në lidhje me situatën në Bashkimi Evropian, Trump Jr. u shpreh se ajo ka nevojë për përmirësim, por sipas tij, zgjidhjet duhet të vijnë natyrshëm. Ai shtoi se, sipas diskutimeve që ka pasur me aktorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe teknologjisë, BE-ja përballet me sfida serioze, por mbetet e rëndësishme për stabilitetin e vlerave perëndimore.

Vizita e tij në Bosnje u realizua me ftesë personale nga Igor Dodik, djali i Milorad Dodik dhe funksionar i partisë SNSD. Sipas tij, ftesa ishte në baza miqësore.

Për shkak të kësaj vizite, autoritetet në Republika Sërpska rritën masat e sigurisë në qytet, ndërsa disa rrugë në Banja Luka u vendosën nën regjim të veçantë qarkullimi.

Vizita e Trump Jr. shihet si pjesë e vazhdimit të kontakteve politike dhe ekonomike mes kësaj pjese të Bosnje e Hercegovinës dhe aktorëve në Shtetet e Bashkuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)