Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan këtë të hënë një takim rreth dyorësh për të diskutuar situatën e re politike në vend dhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Pas takimit, që ndodh rreth tre javë para skadimit të afatit 34 ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese para se Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, Kurti u shpreh optimist, duke e cilësuar bisedën si konstruktive dhe në një frymë bashkëpunimi.
“Me zotin Abdixhiku ishim në takim afër 2 orë, me këtë rast diskutuam për situatën e re politike, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja kryesore që u diskutua ishte fakti që na kanë ngelur edhe tri javë deri tek zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimalizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Është vështirë ta paramendojmë një fushatë zgjedhore me po të njëjtat zotime, për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe. Numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë nuk e kemi sfidë, por është sfidë tejet gjigande që një parti t’i ketë 80 deputetë dhe ta zgjedhë vetë presidentin”, deklaroi Kurti.
Në anën tjetër, Abdixhiku nuk u duk aq entuziast për zgjidhjen e ngërçit sa kreu i Vetëvendosjes. Ai theksoi se nga ky takim nuk pati ndonjë përparim konkret dhe se ende nuk ka marrëveshje mes palëve.
“Nuk kemi ndonjë të re. Zhvillova takimin e radhës me kryetarin e LVV dhe kryeministrin Albin Kurti. Diskutuam për afatin kohor, kemi më pak se 3 javë për të arritur një konsensus dhe për të arritur një marrëveshje eventuale, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Po provojmë që përmes takimeve të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Nuk kemi ndonjë lëvizje të re nga ky takim i sotëm”, u shpreh Abdixhiku.
Megjithatë, të dy palët kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve në ditët në vijim, në përpjekje për të arritur një konsensus dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)