Spiropali mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoni: Gjuha shqipe e drejtë themelore!

Në një reagim në Facebook, Spiropali shpreh mbështetjen për studentët, duke e cilësuar protestën e tyre si një sinjal se disa të drejta themelore nuk po zbatohen siç duhet në fqinjin tonë lindor.

06.04.2026. 12:00

Spiropali mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoni: Gjuha shqipe e drejtë themelore!

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e garantimit të të drejtave gjuhësore në një shtet me bazë të gjerë komunitetesh.

Në një reagim në Facebook, Spiropali shpreh mbështetjen për studentët, duke e cilësuar protestën e tyre si një sinjal se disa të drejta themelore nuk po zbatohen siç duhet në fqinjin tonë lindor.

“Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet. Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë”, shprehet ajo.

Deputetja socialiste nënvizon se gjuha shqipe nuk duhet të jetë objekt diskutimi apo interpretimi të paqartë institucional në Maqedoninë e Veriut.

“Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional. Është e drejtë themelore. Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij”, thekson Spiropali.

Në fund, ajo nënvizon se kjo çështje nuk i përket vetëm shqiptarëve, por është një test për funksionimin e shtetit në RMV dhe për rrugën europiane të vendeve të rajonit.

“Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)