Një 'gjueti' tradicionale për vezët e Pashkëve u shndërrua në një operacion të sigurisë së lartë në veriperëndim të qytetit të Shtutgartit, në Gjermani.
Sipas mediave lokale dy burra bënë një zbulim befasues teksa po kërkonin vezë të fshehura të Pashkëve (një traditë e përhapur në vendet gjermanofolëse), në kopshtin e familjes së tyre, në Vaihingen an der Enz.
Pasditja festive përfundoi me mbërritjen e zjarrfikësve dhe ekspertëve nga Ministria e Mjedisit, pasi dy burrat gjetën një shishe me etiketën "Polonium 210", një lëndë radioaktive e rrezikshme.
Sipas policisë gjermane ata gjetën një shishe plastike të bardhë me kapak të kuq dhe menjëherë thirrën shërbimet e emergjencës. Pas hetimeve fillestare, komandanti i departamentit lokal të zjarrfikësve, Andy Dorroch, shpjegoi se shishja ishte "etiketuar qartë dhe zyrtarisht" dhe peshonte 200 gramë, në përputhje me një substancë të njohur si Polonium-210.
Testet e kryera pranë vendit të zbulimit për prezencë radioaktiviteti ishin negative, por ekspertët nga Ministria e Mjedisit megjithatë e hoqën shishen për analiza specifike, të cilat do të përcaktojnë natyrën e përmbajtjes së saj.
Poloniumi-210 është një substancë radioaktive potencialisht vdekjeprurëse. Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen nga Rrezatimi, substanca është veçanërisht e rrezikshme nëse thithet ose absorbohet përmes lëkurës përmes plagëve të hapura.
Kujtojmë se Alexander Litvinenko, një ish-oficer i inteligjencës ruse i kthyer në disident dhe kundërshtari i Vladimir Putin, vdiq në Londër në vitin 2006 pas helmimit me Polonium-210.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)