Vapa ekstreme në Francë, raportohen viktima dhe temperatura rekord mbi 35°C

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi tentuan të freskoheshin duke u larë në ujëra të ndryshme. Raste të tjera fatalitetesh lidhen me goditjet nga i nxehti.

26.05.2026. 19:47

Vapa ekstreme në Francë, raportohen viktima dhe temperatura rekord mbi 35°C

Franca po përballet me një valë të pazakontë të nxehti për muajin maj, ku temperaturat kanë kaluar 35 gradë Celsius në disa rajone, duke thyer rekorde historike për këtë periudhë të vitit. Sipas raportimeve, të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi tentuan të freskoheshin duke u larë në ujëra të ndryshme.

Viktimat dyshohet se janë mbytur gjatë notit, ndërsa autoritetet po paralajmërojnë qytetarët për rrezikun e temperaturave ekstreme. Raste të tjera vdekjesh janë lidhur me goditjet nga i nxehti, duke përfshirë edhe ato gjatë aktiviteteve sportive amatore dhe garave të vrapimit, që u zhvilluan nën temperatura shumë të larta.

Meteorologët francezë e kanë cilësuar situatën si të pazakontë për muajin maj, duke theksuar se temperaturat aktuale janë shumë mbi mesataret sezonale dhe mund të lidhen me efektet e ndryshimeve klimatike. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore, ndërsa në disa zona janë aktivizuar masa emergjente për përballimin e valës së të nxehtit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)