Dhjetë ditë pas bllokimit të punimeve, për shkak të konfliktit mes kompanive të përfshira në ndërtimin e projektit të aeroportit të Vlorës, çështja mund të ketë marrë zgjidhje. Gjykata e Lartë ka vendosur të heqë masën e sigurimit të padisë të kërkuar nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, duke i dhënë avantazh biznesmenit Behgjet Pacolli.
Vendimi është marrë nga Kolegji Civil, i cili ka rrëzuar qëndrimin e mbajtur më parë nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kishin pranuar fillimisht kërkesën e kompanive të lidhura me biznesmenin Valon Ademi, duke vendosur masa kufizuese në kuadër të procesit gjyqësor.
Pas rishqyrtimit të çështjes, Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se kërkesa për sigurimin e padisë nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore, duke vendosur shfuqizimin e saj. Mosmarrëveshja mes aksionerëve ka sjellë tensione edhe në kantierin e ndërtimit të aeroportit.
Në mesin e muajit maj, puna në projekt u pezullua përkohësisht pasi përfaqësues të “2A Group” penguan hyrjen e stafit dhe nënkontraktorëve të kompanisë “Mabco” në zonën e punimeve. Pas agravimit të situatës më datë 16 maj, tashmë erdhi vendimi, me të cilin shpresohet se do ti hapet rrugë përfundimit të ndërtimit të një prej veprave më madhore në jug të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)