Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për përhapjen e shpejtë të virusit Ebola në Kongo, ku deri tani janë regjistruar të paktën 220 viktima.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se situata po del jashtë kontrollit dhe se organizata po rrit me urgjencë operacionet në terren.
“Po veprojmë me shpejtësi, por epidemia aktualisht po na tejkalon”, u shpreh Tedros, duke paralajmëruar se përhapja e sëmundjes po komplikohet edhe nga situata e pasigurt në provincat Ituri dhe Kivu i Veriut.
Sipas OBSH-së, kjo epidemi lidhet me variantin e rrallë Bundibugjo të Ebolës, për të cilin ende nuk ekziston një vaksinë e miratuar. Organizata njoftoi se dy vaksina të mundshme janë në zhvillim, por asnjëra nuk ka hyrë ende në fazën e provave klinike. Ekspertët paralajmërojnë se mund të duhen deri në nëntë muaj për të pasur një vaksinë funksionale.
Ndërkohë, vendet fqinje janë vënë në gatishmëri. Uganda ka raportuar edhe dy raste të reja, duke e çuar në shtatë numrin e të infektuarve të konfirmuar.
OBSH ka shpallur gjendje emergjente për shkak të shpërthimit të këtij varianti të rrallë të virusit, ndërsa deri tani janë regjistruar rreth 600 raste të dyshuara me Ebola.
Autoritetet shëndetësore po kërkojnë masa të menjëhershme për të frenuar përhapjen e virusit në rajon.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)