Një zbulim i rëndësishëm shkencor që mund të hapë rrugën për trajtime më efektive kundër një prej kancereve më vdekjeprurëse në botë është bërë nga ekipi i shkencëtarit kroat Igor Štagljar në Universitetin e Toorontos.
Së bashku me studiues nga universitetet e Otavës dhe Milanos, ekipi ka identifikuar një dobësi kyçe të glioblastomës, forma më agresive e kancerit të trurit. Zbulimi është publikuar në revistën shkencore “Signal Transduction and Targeted Therapy”.
Shkencëtarët u fokusuan në dy receptorë që nxisin rritjen e tumorit, EGFRvIII dhe OSMR, duke zbuluar se proteina CLIC1 vepron si një “ndërmjetës i fshehtë” që mban aktiv komunikimin mes tyre dhe ushqen agresivitetin e sëmundjes.
“Kur hoqëm CLIC1, qelizat tumorale humbën aftësinë për t’u përhapur. Besojmë se kemi identifikuar një nga pikat më të dobëta, pra thembrën e Akilit të glioblastomës”, tha Štagljar.
Ai zbuloi se ekipi ka zhvilluar edhe një antitrup eksperimental që synon CLIC1 në sipërfaqen e qelizave tumorale. Në testet paraklinike te minjtë, kjo qasje ka ngadalësuar ndjeshëm rritjen e tumorit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende nuk bëhet fjalë për një kurë të gatshme për njerëzit.
“Kjo nuk është ende një terapi përfundimtare, por është një hap shumë i rëndësishëm për të kuptuar si funksionon glioblastoma dhe ku mund ta godasim”, u shpreh profesori.
Glioblastoma konsiderohet një nga format më të vështira për t’u trajtuar, pasi qelizat e tumorit përshtaten shpejt dhe krijojnë rezistencë ndaj terapive ekzistuese. Edhe me operacion, radioterapi dhe kimioterapi, shumica e pacientëve jetojnë vetëm 12 deri në 15 muaj pas diagnostikimit.
Ekipi i Štagljar tani po vazhdon kërkimet për të testuar sigurinë dhe efektivitetin e antitrupit të ri, me shpresën se në të ardhmen kjo qasje mund të shndërrohet në një terapi revolucionare kundër kancerit të trurit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)