Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme, 8 të vdekur, Moska: Objektiv edhe qendrat e NATO-s në Kiev

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se Rusia do të vazhdojë sulmet ndaj Kievit si përgjigje ndaj asaj që Moska e cilësoi si një sulm të qëllimshëm ukrainas me dron ndaj një konvikti studentor në qytetin Starobilsk

25.05.2026. 17:18

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme, 8 të vdekur, Moska: Objektiv edhe qendrat e NATO-s në Kiev

Të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën të hënën nga sulmet ajrore ukrainase në territorin rus dhe në zonat e kontrolluara nga Moska në Ukrainën lindore. Ndërkohë, një sulm rus në rajonin e Kharkivit në verilindje të Ukrainës shkaktoi dy viktima dhe plagosi 19 persona.

Autoritetet ruse njoftuan se në rajonin Belgorod, pranë kufirit me Ukrainën, një civil u vra pasi një automjet u godit nga një dron ukrainas në qytetin Graivoron. “Një automjet u shënjestrua nga një sulm me dron në qytetin Graivoron”, deklaruan autoritetet lokale, duke shtuar se “një civil u vra”.

Në rajonin Bryansk, gjithashtu pranë kufirit ukrainas, guvernatori në detyrë Yegor Kovalchuk tha se një burrë humbi jetën pas një sulmi ajror ukrainas në qytetin Belaya Berezka. Ndërkohë, në qytetin Khorolivka, në pjesën e pushtuar nga Rusia të rajonit Donetsk, autoritetet e emëruara nga Moska raportuan katër viktima civile, mes tyre dy fëmijë.

“Katër civilë, përfshirë dy fëmijë të lindur në vitin 2012 dhe 2013, u vranë nga një sulm i ushtrisë ukrainase”, deklaroi Ivan Prikhodko, zyrtar lokal i emëruar nga Rusia.

Në anën tjetër, autoritetet ukrainase raportuan se një sulm rus në rajonin e Kharkivit la të vdekur dy persona, të moshës 68 dhe 25 vjeç. Guvernatori i Kharkivit, Oleg Sinegubov, tha se 17 persona u shtruan në spital, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Sipas tij, sulmi shkaktoi dëme në magazina, automjete dhe objekte biznesi, ndërsa ekipet e emergjencës arritën të shuajnë zjarrin e shkaktuar nga bombardimet.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se Rusia do të vazhdojë sulmet ndaj Kievit si përgjigje ndaj asaj që Moska e cilësoi si një sulm të qëllimshëm ukrainas me dron ndaj një konvikti studentor në qytetin Starobilsk, në rajonin e kontrolluar nga Rusia në Luhansk.

“Forcat e Armatosura po nisin sulme sistematike dhe të organizuara në objektet e kompleksit ushtarako-industrial ukrainas në Kiev, duke përfshirë vende specifike ku projektohen, prodhohen, programohen dhe përgatiten për përdorim mjete ajrore pa pilot”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Deklarata shton se dronët ukrainas përdoren “me ndihmën e specialistëve të NATO-s”, të cilët sipas Moskës janë përgjegjës për furnizimin me komponentë, informacion dhe përcaktimin e objektivave.

“Sulmet do të synojnë si qendrat e vendimmarrjes ashtu edhe qendrat e komandës”, theksoi ministria ruse.

Për shkak të këtyre paralajmërimeve, Moska u bëri thirrje diplomatëve të huaj dhe organizatave ndërkombëtare që të largohen nga Kievi, ndërsa qytetarëve u kërkoi të shmangin zonat pranë infrastrukturës ushtarake dhe administrative.

Sipas autoriteteve ruse, natën e 22 majit dronët ukrainas goditën një konvikt kolegji në Starobilsk, ku ndodheshin 86 studentë. Moska pretendon se sulmi shkaktoi shembjen e ndërtesës, duke lënë të vrarë 21 studentë dhe duke plagosur 44 të tjerë.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se sulmi ishte i qëllimshëm dhe jo aksidental. “Adoleshentët që mbijetuan raportuan se dronët kishin fluturuar mbi zonë për një kohë të gjatë dhe kishin qëlluar me synim të qartë”, tha ai.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase mohoi përgjegjësinë për sulmin ndaj konviktit dhe deklaroi se objektivi i saj ishte një njësi komanduese dronësh në zonë. Por, Rusia tha se iu përgjigj sulmit duke përdorur raketa të tipit “Oreshnik”, “Kinzhal”, “Iskander” dhe “Tsirkon” kundër objektivave që lidhen me udhëheqjen ushtarake ukrainase.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)