Italia është në alarm pasi dy persona të kthyer nga Uganda po monitorohen në Spitalin Sacco të Milanos, sepse shfaqën simptoma me ethe pas rikthimit në Itali. Bëhet fjalë për një grua 33-vjeçare dhe një burrë 31-vjeçar, të dy punonjës të organizatave humanitare që kishin kaluar tre muaj në vendin afrikan.
Ministria italiane e Shëndetësisë ka aktivizuar menjëherë protokollet e sigurisë dhe monitorimin shëndetësor për familjarët e tyre, ndërsa dy pacientët janë izoluar në repartin special të sëmundjeve infektive në Spitalin Sacco, një nga strukturat më të specializuara në Itali për trajtimin e rasteve me rrezik të lartë biologjik.
Autoritetet rajonale në Lombardi bëjnë me dije se dy rastet e dyshuara vijnë nga zonat Lurate Caccivio dhe Bulgarograsso, në provincën e Komos. Sipas këshilltarit rajonal për mirëqenien, Guido Bertolaso, dyshimet e para tregojnë se simptomat mund të lidhen me malarien cerebrale ose një infeksion gastrointestinal dhe jo domosdoshmërisht me virusin Ebola.
“Besojmë se shkaku më i mundshëm është malaria. Njëri prej pacientëve ka edhe histori familjare të kësaj sëmundjeje”, deklaroi Bertolaso.
Megjithatë, për shkak se zona ku qëndronin dy punonjësit humanitarë ndodhet pranë Republikës Demokratike të Kongos, ku vijon të ketë raste me Ebola, autoritetet italiane kanë vendosur të zbatojnë të gjitha procedurat e parashikuara nga protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Rezultatet e analizave pritet të publikohen gjatë mbrëmjes dhe Ministria italiane e Shëndetësisë theksoi se rreziku për përhapjen e Ebolës në Itali mbetet “shumë i ulët”, ndërsa sistemi i gatishmërisë për emergjencat infektive është plotësisht funksional.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)