Kuba ka marrë dërgesën e parë prej 15,000 tonësh oriz të dërguar nga Kina, e cila ka premtuar të sigurojë një total prej 60,000 tonësh në faza të ndryshme.
Mbërritja e orizit u njoftua të dielën nga presidenti kubanez Miguel Diaz-Canel, teksa ishulli ndodhet nën një embargo amerikane që nga viti 1962 dhe ka kaluar një krizë të rëndë ekonomike vitet e fundit, me mungesa të ushqimeve dhe ilaçeve bazë, si dhe ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, por edhe një situatë e përkeqësuar nga embargoja e naftës e vendosur nga Uashingtoni në janar.
“Ne morëm me mirënjohje të thellë 15,000 ton oriz të dërguar nga populli, partia dhe qeveria e Kinës”, tha Presidenti Diaz-Canel nëpërmjet X.
Kreu i shtetit shtoi se kjo "ngarkesë e madhe përbën fillimin e një donacioni të ri prej gjithsej 60,000 tonësh, i cili do të mbërrijë progresivisht" në ishull. Nga ana e tij, ambasadori kinez Hua Sim theksoi se këto 60,000 ton oriz përbëjnë sasinë më të madhe të ndihmës ushqimore që Kina i ka dërguar Kubës në vitet e fundit.
Kina, e cila është ndër aleatët dhe partnerët kryesorë tregtarë të Kubës në Azi, denoncoi të enjten e kaluar ndjekjen penale nga autoritetet amerikane të ish-Presidentit Raul Castro, i cili akuzohet për vrasjen e amerikanëve në vitin 1996, duke theksuar se kundërshton "abuzimin e mjeteve gjyqësore".
"Kina mbështet fuqimisht Kubën në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit të saj kombëtar dhe kundërshton çdo ndërhyrje të huaj në punët e saj”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Një ditë pas aktakuzave, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i tha Havanës se Uashingtoni ishte i vendosur të vazhdojë me imponimin e ndryshimeve politike në ishull nën një qeveri komuniste.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)