Dorëhiqet drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi

Elton Alushi kishte marrë drejtimin e Policisë së Tiranës në nëntor të vitit 2024, pas një procesi konkurrimi të zhvilluar për herë të parë sipas ligjit të ri të Policisë së Shtetit.

25.05.2026. 15:57

Dorëhiqet drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi

Një tjetër lëvizje e rëndësishme ka prekur strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, duke lënë vakant një nga postet më të rëndësishme të sigurisë në vend.

Deri tani nuk janë bërë publike arsyet e largimit të tij, por pas dorëheqjes së Alushit, në krye të Policisë së Tiranës është komanduar Oliger Torba, i cili mbante detyrën e nëndrejtorit për hetimin e krimeve në këtë drejtori.

Elton Alushi mori drejtimin e Policisë së Tiranës në nëntor të vitit 2024, pas një procesi konkurrimi të zhvilluar për herë të parë sipas ligjit të ri të Policisë së Shtetit. Ai qëndroi në detyrë për rreth një vit e gjysmë dhe konsiderohej si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Emërimi i Alushit në krye të policisë së kryeqytetit u konsiderua surprizë në atë kohë, pasi më herët ai kishte mbajtur disa poste si zv/drejtor qarku, shef sektori dhe shef komisariati.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka hapur garën për plotësimin e posteve të drejtorëve vendorë në qarqet Durrës, Fier, Kukës dhe Lezhë. Në këto drejtori aktualisht drejtuesit janë të komanduar, pas largimeve dhe ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese.

Paralelisht, është hapur garë edhe për 11 komisariate policie në vend. Shumë prej tyre drejtohen aktualisht nga shefa të komanduar për shkak të dorëheqjeve, largimeve apo procedimeve penale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)