Kreu i demokratëve Sali Berisha është pyetur nga gazetarët nëse do të jetë ai kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 2029-tës.
"Një mikun timin, mik të shquar të them të vërtetën, e kanë uruar kryeministër kur ai ishte 95 vjeç. Dhe po të lexosh për të atij, ai i drejtoi me sukses të plotë atë qeveri. Po a do jem unë si ai, kjo varet nga i madhi Zot dhe demokratët. Gjer tani të garantoj që po t'i pjesëtosh për dy moshën time, merr të vërtetën e saj", tha Berisha.
Ai u pyet edhe për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike. Ai tha se Kuvendi do të jetë i kushtrimit për riorganizimin dhe një ripërtëritje të fuqishme.
"Tani, sigurisht kuvendi do të jetë kuvendi i kushtrimit për riorganizimin. I kushtrimit për riorganizimin. Instituti Republikan Amerikan me një mbështetje shumë të përzemërt për të cilën gjej rastin ta falënderoj me shumë mirënjohje, kanë përgatitur një platformë të shkëlqyer të organizimit dhe digjitalizimit të Partisë Demokratike.
Në fakt, po të më pyesësh mua, të transformimit të saj. Realisht të transformimit të saj. Unë ju siguroj ju dhe çdo shqiptar se të gjithë energjinë time, të gjithë forcën time do ta përdor për zbatimin e saj.
Më keni dëgjuar të them në mënyrë të përsëritur se kjo për ne këto kohë ka një motiv më kryesor: organizim, organizim, organizim. Tani Partia Demokratike bazuar në këtë platformë, do ta quaja jashtëzakonisht një studim shumë serioz dhe shumë i çmuar, do të transformohet në çdo aspekt të saj. Kuvendi do të jetë kushtrimi, dhe do të jetë kushtrimi i këtij procesi që do t'i japë Partisë Demokratike një organizim, një modernitet, një ripërtëritje shumë të fuqishme", tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)