Hapet Skema Kombëtare e Bujqësisë 2026, fond 2.5 miliardë lekë për fermerët

Me një fond prej 2.5 miliardë lekësh, programi parashikon mbështetje direkte për blegtorinë, bletarinë, fermat organike dhe sipërfaqet e mbjella, si edhe grante për modernizimin e fermave dhe agrobizneseve.

25.05.2026. 11:12

Hapet Skema Kombëtare e Bujqësisë 2026, fond 2.5 miliardë lekë për fermerët

Fermerët shqiptarë mund të aplikojnë duke nisur nga kjo e hënë për të përfituar nga Skema Kombëtare e Bujqësisë 2026, një paketë mbështetëse që synon të zgjerojë subvencionet dhe investimet në sektorin agro-bujqësor.

Me një fond prej 2.5 miliardë lekësh, programi parashikon mbështetje direkte për blegtorinë, bletarinë, fermat organike dhe sipërfaqet e mbjella, si edhe grante për modernizimin e fermave dhe agrobizneseve.

Aplikimet do të kryhen online përmes platformës e-Albania, ndërsa skema përfshin 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 masa investimi për fermerët dhe sipërmarrjet bujqësore.

Masat direkte mbështesin:

  • tufën bazë të matrikulluar të gjedhit
  • tufën bazë të matrikulluar të imtave
  • bletarinë
  • tufën bazë të dosave dhe paradosave
  • kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
  • fermat organike
  • implementimin dhe certifikimin Global GAP
  • sipërfaqet e mbjella
  • ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme

Ndërkohë, masat e investimit fokusohen në:

  • mbështetjen për fermerët e rinj
  • ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve
  • pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin e proceseve të punës

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, subvencionet për sektorin e blegtorisë janë rritur krahasuar me vitin e kaluar. Mbështetja për gjedhët rritet nga 10 mijë në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa për bagëtitë e imëta subvencioni shkon nga 1 200 në 1 500 lekë për krerë.

Rritje të ndjeshme ka edhe për bletarinë, ku mbështetja për kosheret dyfishohet, nga 10 mijë në 20 mijë lekë. Për herë të parë në skemë përfshihet edhe sektori i derrave, me subvencion prej 7 mijë lekësh për çdo dosë në fermat me të paktën 5 dosa.

Një tjetër ndryshim lidhet me uljen e pragjeve për përfitimin e subvencioneve. Fermerët mund të aplikojnë tashmë me minimumi 5 lopë, nga 10 që kërkoheshin më parë, ndërsa për bagëtitë e imëta kufiri zbret nga 100 në 50 krerë. Edhe për bletarinë, kriteri ulet nga 50 në 25 koshere.

Skema parashikon gjithashtu mbështetje më të lartë për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera, ku financimi arrin deri në 70% të kostos së shpenzimeve.

Për herë të parë aplikohet edhe pagesa për sipërfaqet e mbjella, një masë e ngjashme me praktikat e Bashkimit Europian, ku fermat me mbi 3 hektarë do të përfitojnë 10 mijë lekë për çdo hektar të mbjellë.

Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të vazhdojnë të mbështeten me 100% të masës së përfitimit, ndërsa fermerët e rinj do të mund të përfitojnë financim deri në 70% të investimit, por jo më shumë se 1 milion lekë.

Në paketën mbështetëse përfshihen edhe grantet për ndërtimin e staneve, mekanikën bujqësore dhe pajisjet për ruajtjen e qumështit apo vajit të ullirit. Po ashtu, subjektet që merren me rritjen e peshkut në ujërat e brendshme do të mbështeten me 200 mijë lekë për blerjen e rasatit.

Qeveria ka bërë po ashtu të ditur se Skema e Naftës nuk do të hiqet, por do të përshtatet me forma të reja mbështetjeje, ndërsa fermerët do të përfitojnë edhe rimbursim 10% për faturat e prodhimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)