Një shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua në orët e para të mëngjesit në zonën e Shkozës në Tiranë, duke rikthyer vëmendjen tek atentati i ndodhur pak ditë më parë ndaj Kejdi Spajës, ku mbeti i plagosur edhe efektivi i policisë Anxhelo Kumaraku.
Kjo pasi, objektivi i sulmit të sotëm ishte një market në pronësi të babait të vëllezërve Aldo dhe Ali Lika, të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të atentatit të 18 majit.
Sipas burimeve hetimore, shpërthimi ndodhi rreth orës 04:15 në rrugën “Ramazan Gaxheri”, ku një sasi lënde plasëse dyshohet se ishte vendosur pranë motorit të kondicionerit në pjesën e jashtme të marketit. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar një person të maskuar, i cili afrohet pranë biznesit, vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë përmes rrugicave të zonës. Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të jetë një akt hakmarrjeje në vazhdën e konfliktit të nisur pas atentatit ndaj Kejdi Spajës.
Marketi ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të Lulzim Likës, babait të Aldo dhe Ali Likës dhe në të njëjtën godinë ndodhet edhe një lokal në pronësi të vëllait tjetër të familjes.
Ndërkohë, Policia e Tiranës vijon hetimet për atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Shkozë, ku shënjestra dyshohet se ishte Kejdi Spaja. Gjatë të shtënave me armë zjarri u plagos aksidentalisht në këmbë efektivi i policisë Anxhelo Kumaraku, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim vëllezërit Aldo dhe Ali Lika, ndërsa vetë Spaja u arrestua për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Sipas policisë, ai kishte dalë nga banesa në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe po lëvizte në shoqërinë e efektivit Kumaraku.
Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të efektivit Anxhelo Kumaraku. Ndaj tij ka nisur edhe hetim disiplinor, pasi dyshohet se nuk kishte raportuar shkeljen e masës së sigurisë nga ana e Spajës, me të cilin kishte njohje të hershme.
Hetimet vijojnë për të zbardhur autorët dhe motivet e plota të dy ngjarjeve që dyshohet se lidhen me njëra-tjetrën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)