Presidenti serb Aleksandër Vuçiq nga Pekini, ku ndodhet për një vizitë katër ditore që do të kulmojë me takimin e tij me Xi Jinping, ka paralajmëruar se mund të japë dorëheqjen duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në vend, pas protestave të vazhdueshme të studentëve.
Ai tha nga Pekini se do të japë dorëheqjen, duke deklaruar se më pas do të shihet nëse do të ketë zgjedhje parlamentare apo presidenciale pas 90 ditësh. Vuçiç theksoi se ai nuk dëshiron që të qëndrojë i ulur në kolltuk dhe të shijojë pushtetin për pjesën e mbetur të jetës së tij.
“Dhe unë nuk po e shkurtoj mandatin siç kanë mashtruar më parë. Boris Tadiçi e shkurtoi mandatin, por jo në të vërtetë, pasi ai dha dorëheqjen. Do të jap dorëheqjen, sepse kështu thotë Kushtetuta, nuk po shkurtoj asnjë mandat. Kur të jap dorëheqjen, atëherë do të shkojmë, do të shohim nëse do të ketë zgjedhje parlamentare, pas 90 ditësh për zgjedhjet presidenciale dhe kaq. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe”, u tha Vuçiç gazetarëve në Pekin.
Ai shtoi se, kur presidenti jep dorëheqjen, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 90 ditëve, ndërsa posti i presidentit dhe kompetencat e tij merren përsipër nga presidenti i Asamblesë Kombëtare.
Vuçiç shtoi se ishte krenar që ishte anëtar i Partisë Progresive Serbe, e cila sipas tij do t’i fitojë sërish zgjedhjet.
“Në zgjedhje do të luftojmë me idetë, programet dhe planet tona, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Dhe kush do të fitojë nuk matet me gënjeshtrat dhe numrin e afisheve të shtypura, por në qendrën e votimit me numrin e votave të numëruara nga njerëzit në qendrat e votimit", tha Vuçiç.
Kur u pyet nëse e kuptoi mesazhin se Serbia ka një alternativë ndaj regjimit të tij, presidenti deklaroi se alternativat ekzistojnë në çdo zgjedhje dhe se është mirë që ato ndryshojnë herë pas here, por se ai ka frikë se po vijnë gjithnjë e më shumë alternativa të pasuksesshme dhe më pak të mira për qytetarët.
"Prandaj jam shumë i shqetësuar për të ardhmen e Serbisë, sepse në një moment do të duhet të krijohet një alternativë serioze ndaj SNS-së dhe SPS-së dhe shumë të tjerave. Kam vetëm frikë se kjo do të ishte një alternativë katastrofike që do të na çonte në rrënim të plotë", tha Vuçiç.
Ai tha gjithashtu se nëse politikanët e opozitës do të kishin vazhduar të sundonin deri në vitin 2016, Serbia do të ishte zhdukur plotësisht si vend.
"Sikur të vazhdonin të sundonin deri në vitin 2016, siç sunduan deri në vitin 2012. Zgjedhja e udhëheqjes është me rëndësi kyçe. Njerëzit duhet ta kuptojnë se nuk është lodër. Duhet të zgjidhen njerëz që kujdesen për vendin e tyre, që kujdesen për njerëzit, që e dinë se çfarë është politika dhe që nuk do të kenë një qëndrim kaq të zemëruar", tha Vuçiç.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)