Mashtronte me faqe false të Postës Shqiptare, arrestohet në Sarandë 22-vjeçari francez

Sipas hetimeve, autorët krijonin faqe të rreme online dhe dërgonin SMS me linqe mashtruese, duke i nxitur qytetarët të plotësonin të dhënat e tyre bankare. Më pas, këto të dhëna përdoreshin për përfitime të paligjshme financiare.

25.05.2026. 14:28

Mashtronte me faqe false të Postës Shqiptare, arrestohet në Sarandë 22-vjeçari francez

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”, duke goditur një tjetër rast të mashtrimit kompjuterik përmes faqeve të falsifikuara që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare.

Operacioni u zhvillua nga strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, pas hetimeve mbi një aktivitet kriminal që synonte vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë.

Sipas hetimeve, autorët krijonin faqe të rreme online dhe dërgonin SMS me linqe mashtruese, duke i nxitur qytetarët të plotësonin të dhënat e tyre bankare. Më pas, këto të dhëna përdoreshin për përfitime të paligjshme financiare.

Në kuadër të operacionit është ndaluar shtetasi francez me iniciale Z. K., 22 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi telefona celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit apeloi për kujdes të shtuar nga qytetarët.

“Të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale; të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare dhe të mos japin asnjëherë numra kartash bankare apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bën me dije se edhe në raste të mëparshme qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi, duke pësuar humbje monetare pas vendosjes së të dhënave të tyre bankare në faqet e falsifikuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)