Kushtetuesja i jep “shpresë” Veliajt, çështja për arrestin rikthehet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rikthejë në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë arrest me burg ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

25.05.2026. 17:02

Vendimi është marrë me shumicë votash, 5 me 3 në favor të Veliajt, duke urdhëruar rishqyrtimin e ankimit të tij për lirimin nga qelia.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, pas vendimit të GJKKO, ndërsa në kërkesën drejtuar Kushtetueses ai argumentonte se i është cenuar liria individuale dhe, njëkohësisht, ushtrimi i mandatit si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.

Sipas pretendimeve të tij, gjykatat nuk kanë analizuar siç duhet kriteret për vendosjen dhe vazhdimin e masës së sigurisë. Veliaj ka theksuar se Kodi i Procedurës Penale parashikon mundësinë që pas një periudhe kohore personat të gjykohen në liri kundrejt garancisë pasurore, për të cilën ai është shprehur i gatshëm ta ofrojë.

Ndërkohë, kryebashkiaku pret edhe një tjetër vendim të rëndësishëm nga Gjykata e Lartë më 28 maj, ku ka kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë më të lehtë sigurie.

Vendimi i Kushtetueses konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në procesin që po ndiqet ndaj Veliajt dhe mund të ndikojë në vijimin e çështjes në instancat e tjera gjyqësore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)