Gjyqtarja Engjëllushe Tahiri drejton trupën gjykuese për çështjen ndaj Erion Veliajt

Përpos kryebashkiakut të Tiranës, në proces janë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona e subjekte të tjera të lidhur me të njëjtën dosje.

27.02.2026. 09:46

Gjyqtarja Engjëllushe Tahiri drejton trupën gjykuese për çështjen ndaj Erion Veliajt

Me procedurë shorti është caktuar trupi gjykues që do të marrë në shqyrtim dosjen penale ku i pandehur është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Seancat do të drejtohen nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, me Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj në detyrën e anëtareve të trupës.

Vendimi për kalimin e çështjes në gjykim u mor më 9 shkurt nga Gjykata e Posaçme, duke përfshirë në proces jo vetëm Veliajn, por edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona e subjekte të tjera të lidhur me të njëjtën dosje. Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës është në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.

Sipas organit të akuzës, ndaj Veliajt janë ngritur 13 akuza, duke përfshirë “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “shpërdorim detyre” dhe “mosdeklarim pasurie”. Prokuroria pretendon se në disa raste janë siguruar përfitime të paligjshme nga kompani private, të cilat më pas kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Në të njëjtën dosje, edhe Ajola Xoxa përballet me akuza të ngjashme për “korrupsion pasiv”, si edhe për “pastrim parash” dhe “fshehje të të ardhurave”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)