Një aksident i pazakontë rrugor në afërsi të Zadarit në Kroaci ka përfunduar me dështim në gjykatë për një shofer, i cili pasi përplasi me makinë një tufë delesh në rrugë, kërkoi dëmshpërblim nga pronarja e tyre.
Ngjarja kishte ndodhur në tetor të vitit 2019, kur delet dolën papritur në rrugë dhe automjeti u përplas me to, duke pësuar dëme materiale. Shoferi pretendoi se përgjegjësia binte mbi bareshën, pasi sipas tij kafshët ndodheshin pa mbikëqyrje.
Por pronarja e deleve kundërshtoi versionin e tij dhe deklaroi se shoferi nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. Ajo theksoi se në atë segment kishte sinjalistikë që paralajmëronte praninë e kafshëve shtëpiake dhe shtoi se delet ishin nën kontrollin e saj në momentin e aksidentit.
Megjithatë, kthesa më e madhe në proces erdhi gjatë shqyrtimit të dokumenteve. Gruaja argumentoi se faturat për pjesët e makinës dhe riparimin nuk ishin në emër të shoferit, por të një personi tjetër. Gjithashtu, automjeti nuk rezultonte i regjistruar në emrin e paditësit.
Gjykata konstatoi se shoferi nuk arriti të provonte pronësinë e automjetit dhe as faktin që kishte paguar vetë dëmet. Për këtë arsye, kërkesa për dëmshpërblim u rrëzua plotësisht.
Madje, gjykata nuk u mor fare me çështjen e fajësisë për aksidentin, duke argumentuar se paditësi nuk provoi se ishte pala që kishte pësuar realisht dëmin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)