Protesta e studentëve në Tiranë: Provimi i Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të bëhet në shqip

“Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”, pjesëmarrësit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut shprehën solidaritet me studentët shqiptarë në RMV, duke kërkuar barazi dhe respektimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare.

26.05.2026. 18:13

Protesta e studentëve në Tiranë: Provimi i Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të bëhet në shqip

Studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë mbledhur këtë të martë në Tiranë në mbështetje të kërkesës që provimi i Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të zhvillohet në gjuhën shqipe. Protesta nisi në Sheshin “Skënderbej” dhe vijoi me marshim drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në kryeqytet.

Nën sloganin “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”, pjesëmarrësit shprehën solidaritet me studentët shqiptarë në RMV, duke kërkuar barazi dhe respektimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare. Organizimi dhe fjalimet gjatë protestës u drejtuan kryesisht nga studentë shqiptarë që vinin nga Maqedonia e Veriut.

Atmosfera u shoqërua me këngë patriotike, ndërsa në shesh u dëgjuan thirrje si “Tirana, Shkupi, Prishtina janë bashkë”. Studentët kënduan në kor edhe këngën “Mora fjalë”, e cila shoqëroi marshimin drejt ambasadës. Me flamuj kuqezi në duar, plisa në kokë dhe nën ritmet e tupanëve, protestuesit mbërritën para ambasadës duke mbajtur një banderolë të madhe me mbishkrimin “Ne jemi bashkë”.

 
Foto ilustruese
Foto:LSA

Ata theksuan se protesta nuk kishte karakter politik dhe kërkuan që të mos përfshihej nga qëndrime partiake. Studentët deklaruan se nuk do të ndalen derisa kërkesa e tyre të merret parasysh dhe provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe. “Nuk kërkojmë privilegje, por të drejta të barabarta dhe respekt për identitetin dhe gjuhën tonë”, u shprehën disa prej tyre gjatë tubimit. Ky manifestim arriti të përcillte edhe mesazhin e unitetit mes shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)