“PD u kthye në një dyqan”, Salianji për “referendumin”: Nuk votuan as 5000 anëtarë

Salianji e ka quajtur procesin një farsë, i cili sipas tij rrjedh nga mendësia e Partisë së Punës.

26.05.2026. 12:58

“PD u kthye në një dyqan”, Salianji për “referendumin”: Nuk votuan as 5000 anëtarë

Demokrati Ervin Salianji ka reaguar sërish në lidhje me “referendumin” e mbajtur nga Partia Demokratike për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike.

Salianji e ka quajtur procesin një farsë, i cili sipas tij rrjedh nga mendësia e Partisë së Punës.

Ai shton se në proces nuk kanë marrë pjesë më shumë se 5000 anëtarë, teksa shton se nëse partia ka frikë nga ndryshim atëherë ajo do të humbë besimin e qytetarëve.

“Ajo që ndodhi me PD dhe këtë proces nuk kishte të bënte me një garë, por ishte një proces i kontrolluar nga Berisha për interesat personale. Ai shkeli statutin që u interpretua sipas interesit. U përjashtova unë dhe u lejua Berisha, ku  neni 46 e thoshte se kryetari humbte mandatin pas zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje e Berishës është nul. Kandidaturat e tjera u penguan direkte dhe indirekte.

Sapo shpreha mendimin kundër nisi një batare nga Partia Demokratike. U shpik një term referendum që nuk ekziston në statut. Në vend që partia të hapej, ajo po trajtohet një dyqan që prodhon të ardhura për pronarin. Kjo është një kulturë frike që vjen nga Partia e Punës. Një parti që nuk pranon garën nuk krijon besim te njerëzit. Ne nuk mund të jemi në sjellje si Edi Rama. Problemi nuk është një individ. Duam të shembim një model politik të skaduar, ku nuk ka qarkullim elitash dhe nuk ka standarde.

Kemi nevojë për një PD ku respektohen rregullat, ku gara është reale. Çdo forcë që ka frikë nga ndryshimi përfundon duke humbur besimin e qytetarëve. Shifrat reale janë totalisht ndryshe nga ato që pretendon Berisha. Procesi u braktis. Në fund, u deklaruan 51 mijë anëtarë. Nuk kanë marrë më shumë se 5000 anëtarë”, tha mes të tjerash Salianji.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)