Miliona euro cash dhe pasuri, SPAK dhe Antimafia bëjnë bilancin, kush janë krerët e grupit?

Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se ishte i përfshirë në pastrim parash, transferim fondesh nga Italia në Shqipëri dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.

26.05.2026. 11:49

Miliona euro cash dhe pasuri, SPAK dhe Antimafia bëjnë bilancin, kush janë krerët e grupit?

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bari, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria Antimafia e Barit prezantuan rezultatet e operacionit  kundër grupit të strukturuar kriminal me aktivitet në Shqipëri dhe Itali, i akuzuar për vrasje dhe pastrim parash.

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, bëri të ditur se hetimet kanë çuar në lëshimin e 15 masave të sigurisë, prej të cilave 10 janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 5 në Itali. Sipas tij, gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, si dhe pasuri të tjera të konsideruara si produkte të aktivitetit kriminal, përfshirë biznese, automjete dhe llogari bankare.

Braho theksoi se ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të gjatë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, duke përfshirë edhe strukturat europiane si Eurojust.

Ai vlerësoi bashkëpunimin me Prokurorinë e Barit dhe Policinë e Shtetit, duke nënvizuar se ky nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i operacioneve të mëparshme që kanë çuar në dënimin e qindra personave të përfshirë në krim të organizuar.

“Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar në total 1 milionë euro para cash dhe nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së Prokurorisë janë sekuestruar pasuri të tjera, Shoqëri tregtare, automjete, llogari bankare, që dyshohet se burojnë nga aktivitetet kriminale.

Ky rezultat dhe kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por vazhdimësia e një bashkëpunimi të mëparshëm mes policisë së Barit dhe SPAK-ut.

Dua të përmend disa operacione të mëparshme, në të cilat janë dënuar penalisht rreth 170 persona dhe 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme, 12-15 vite burg.

“Në emër të SPAK-ut dua të theksoj vlerësimin për autoritetet italiane, në veçanti për Prokurorinë e Barit, strukturat e specializuara anti-mafia, Eurojust, për të gjithë hetuesit që kanë kontribuar në rezultatet e këtij hetimi dhe hetimeve të mëparshme. Po kështu gjej rastin të falënderoj Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Shqipëri”, tha Braho.

Nga ana tjetër, prokurori i Barit deklaroi se hetimet kanë zbuluar lidhje të forta mes grupeve mafioze në të dy vendet, përfshirë edhe raste të rënda kriminale si vrasje në rajonin e Pulias. Ai vlerësoi bashkëpunimin me SPAK si “shumë të suksesshëm” dhe theksoi se rrjetet kriminale kanë shtrirje ndërkombëtare, por po goditen përmes hetimeve të përbashkëta.

“Kemi zbuluar disa ngjarje kriminale. Një vrasje. Një bashkëpunim mes grupeve mafioze. Një vrasje e regjistruar në rajonin e Pulias në Itali që tregon në një farë mënyrë zgjerimin e mafias shqiptare në territorin tonë. Po ashtu edhe masat që ka dhënë SPAK për sekuestrim të parave dhe pasurisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me SPAK. E falënderojmë për arrestimin e një personi që ishte i kërkuar në Shqipëri dhe në Itali. Falë edhe Eurojust, një bashkëpunim zgjat prej 10 vitesh dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë”, tha ai.

SPAK ka vënë në sekuestro një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme që dyshohet se i përkasin familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të dy figurave kryesore të grupit kriminal, Igli Kamberi dhe Ergys Kastrati.

Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Antimafian e Barit, lidhen me një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave me burim nga trafiku i drogës, ku fondet dyshohet se transferoheshin nga Italia drejt Shqipërisë.

Në total, autoritetet kanë sekuestruar 8 automjete, 10 llogari bankare, 4 shoqëri tregtare dhe rreth 680.595 euro cash. Këto para janë kapur më herët në pikën kufitare të Muriqanit në vitin 2024, gjatë një tentative për t’i futur në Shqipëri nga Mali i Zi.

Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihet edhe biznesi i Igli Kamberit në fushën e kateringut dhe shërbimeve ushqimore me seli në Kashar. Gjithashtu, janë bllokuar llogari bankare të bashkëshortes së tij, Nevila Kamberi, dhe nënës së saj Dituri Buzi, ndërsa babait të saj, Fatos Buzi, i është sekuestruar një biznes bujqësor me aktivitet në prodhimin e frutave dhe perimeve.

Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe Ergys Kastrati, së bashku me bashkëshorten e tij Desmira Çeco, së cilës i janë sekuestruar gjithashtu dy llogari bankare.

Pasuri të konsiderueshme janë bllokuar edhe për Bardhok Gjergjin, për të cilin ende po hetohet lidhja e saktë me grupin. Atij i është sekuestruar kompania e dhënies me qira të automjeteve dhe import-eksportit, si dhe 5 automjete luksoze dhe 1 llogari bankare.

Gjithashtu, janë vendosur masa sekuestroje edhe ndaj pasurive të Saimir Pirrës, Sokol Fushës dhe Edi Brahajt, përfshirë automjete dhe llogari bankare, pasi dyshohet se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për të identifikuar të gjitha asetet dhe lidhjet e rrjetit kriminal në Shqipëri dhe Itali.

Në përfundim të konferencës, të dy palët theksuan se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi për goditjen e krimit të organizuar dhe se hetimet do të vijojnë për të zbuluar të gjithë rrjetin dhe asetet e përfshira.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)