Tensionet në Lindjen e Mesme janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të forta të bëra nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, në një mesazh të publikuar për Haxhin, pelegrinazhin e përvitshëm mysliman në Mekë. Në një retorikë të ashpër kundër SHBA-së dhe Izraelit, ai deklaroi se “regjimi sionist po shkon drejt fazave të fundit të ekzistencës së tij”, ndërsa bëri thirrje për unitet të botës islame kundër asaj që e quajti “arroganca globale”.
“Regjimi sionist që po lëkundet dhe tumori kanceroz i Izraelit po i afrohen fazave të fundit të ekzistencës së tyre të pafat. Prandaj, këtë vit, thellësia dhe shtrirja e heqjes dorë nga Amerika dhe regjimi sionist shkon përtej ritualit të sezonit të Haxhit. Në pjesë të ndryshme të Iranit dhe të botës, ‘Vdekje Amerikës’ dhe ‘Vdekje Izraelit’ do të jenë sloganet e përbashkëta të kombit islamik dhe të të shtypurve të botës, veçanërisht të të rinjve”, thuhet në mesazhin e Khamenei.
Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, Khamenei paralajmëroi se “ata nuk do të kenë më një strehë të sigurt për keqbërjet e tyre dhe as bazat e tyre ushtarake në rajon”.
“E ardhmja i përket kombit islamik dhe qytetërimit të ri islamik, dhe secili prej nesh mund të luajë një rol në realizimin e kësaj të ardhmeje, sipas përpjekjeve, aftësive dhe përgjegjësive tona”, shtoi ai.
Në mesazhin e tij, Khamenei u bëri thirrje pelegrinëve myslimanë që të luten për unitetin e botës islame, për çlirimin e Palestinës dhe të Xhamisë Al-Aksa, si edhe për “fitoren përfundimtare mbi arrogancën globale”.
Deklaratat e Khameneit vijnë në një moment tensioni, pas raportimeve për sulme të kryera nga forcat amerikane ndaj një baze raketore dhe disa mjeteve detare iraniane në jug të vendit. Sipas një deklarate të zëdhënësit të Komandës Qendrore Amerikane, Tim Hawkins, operacioni ishte një veprim mbrojtës.
“Forcat amerikane kryen sulme vetëmbrojtëse në Iranin jugor për të mbrojtur trupat tona nga kërcënimet e paraqitura nga forcat iraniane”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane reagoi ashpër, duke theksuar se Teherani rezervon të drejtën të përgjigjet ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit.
“Ne kemi të drejtë t’i përgjigjemi çdo shkeljeje të armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara", deklaruan zyrtarët iranianë.
Sipas mediave iraniane, Garda Revolucionare pretendon se ka rrëzuar një dron amerikan MQ-9 pas një shkeljeje të pretenduar të hapësirës ajrore iraniane në Gjirin Persik. Gjithashtu, pretendohet se kanë hapur zjarr ndaj një droni RQ-4 dhe një avioni luftarak F-35, duke i detyruar të largohen nga zona.
Zëdhënësi i Forcave të Armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi, paralajmëroi se çdo agresion i ri ndaj Iranit do të përballet me një kundërpërgjigje shumë më të ashpër.
“Nëse sulmohemi, sulmet tona do të jenë më të ashpra, më intensive dhe më të fuqishme. Përgjigjja jonë do të shkojë përtej rajonit. Objektivi është identifikuar tashmë dhe është gati. Nëse pengohen eksportet tona, Irani do të parandalojë që nafta të dalë nga rajoni”, deklaroi ai.
Këto zhvillime sinjalizojnë një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke shtuar frikën për destabilizim të mëtejshëm në rajon edhe pse ka zëra për avancimin e negociatave për fundin e luftës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)