Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka urdhëruar rivendosjen e lidhjes së internetit në vend, në një kohë kur negociatat me amerikanët për fundin e luftës vijojnë dhe rezultatet mund të shihen së shpejti.
"Rezoluta për rivendosjen e lidhjes së internetit u publikua nga Presidenti i Iranit për Ministrinë e Komunikimeve", thuhet në një deklaratë të bërë publike nga agjencia e lajmeve Fars.
Vendimi për rikthimin e internetit vjen pas muajsh kufizimesh, me masa dragoniane që u morën nga regjimi islamik pasi protestat shpërthyen në fund të dhjetorit 2025 për shkak të zhvlerësimit të monedhës kombëtare dhe më vonë degjeneruan në trazira dhe veprime anti-autoritet.
Në atë kohë, interneti kishte qenë jashtë funksionit, por pasi autoritetet njoftuan në janar se kishin rifituar kontrollin e situatës, aksesi në rrjet filloi të rivendosej gradualisht.
Megjithatë, kufizimet u rikthyen pas sulmit të nisur më 28 shkurt nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit. Që atëherë, autoritetet kishin kufizuar përsëri aksesin në internet.
Ndërkohë në krahun tjetër SHBA përmes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, thekson se “një marrëveshje me Iranin është ende e mundur, pavarësisht sulmeve të fundit ndaj depove të raketave në jug të vendit".
Fokusi është gjithashtu në Ngushticën e Hormuzit, e cila sipas Rubios "do të hapet, në një mënyrë ose në një tjetër".
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, krahason politikën e tij ndaj Iranit me atë të Barack Obamës në një imazh të postuar në profilin e tij në Truth Social, duke u ndalur tek paratë e dhëna nga ish-presidenti Teheranit me politikën e tij të forcës bazuar në raketa.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)