Mediat italiane kanë zbardhur detaje të rëndësishme për operacioni e përbashkët mes policisë së vendit fqinj dhe SPAK gjatë së cilit janë lëshuar 14 masa sigurie dhe janë ekzekutuar një pjesë e tyre.
Hetimi po udhëhiqet nga Antimafia e Bari në bashkëpunim me SPAK në kuadër të një dosjeje që lidhet si me vrasjen e të riut në Itali të quajtur Francesco Diviesti, ashtu edhe me një skemë të dyshuar të pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, nga 14 masat e sigurisë të lëshuara, një person është vendosur në arrest shtëpie, tre të tjerë janë detyruar të paraqiten rregullisht në polici, ndërsa pjesa tjetër është arrestuar dhe ndodhet në burg.
Hetuesit dyshojnë se një grup i strukturuar kriminal me bazë në Shqipëri ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme në transferimin e parave nga Italia drejt Shqipërisë përmes rrugëve të paligjshme, duke krijuar një rrjet të mirëorganizuar financiar.
Në qendër të hetimeve qëndron edhe lidhja e këtij rrjeti me vrasjen e Francesco Diviesti, i cili u zhduk më 25 prill 2025 në zonën e Canosa di Puglia, pasi ishte larguar nga banesa e tij në Barletta.
Trupi i tij u gjet disa ditë më vonë në një zonë rurale mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në një ndërtesë të braktisur, ku ishte i djegur pjesërisht, duke konfirmuar natyrën e rëndë të krimit.
Sipas informacioneve paraprake, në Shqipëri, deri më tani janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Bisha”, i cili konsiderohet një nga personat kryesorë të grupit kriminal. Ai është lokalizuar dhe arrestuar në një vilë brenda një zone rezidenciale.
Në kuadër të të njëjtit operacion, është arrestuar edhe Igli Kamberin, i dyshuar si drejtuesi i grupit. Sipas hetimeve, Kamberi akuzohet jo vetëm për aktivitet kriminal dhe pastrim parash, por edhe për përfshirje në vrasjen e 26 vjeçarit.
Autoritetet italiane dhe shqiptare, me mbështetjen e Eurojust, po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit të dyshuar dhe lidhjet mes vrasjes dhe aktivitetit të dyshuar të pastrimit të parave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)