Një operacion i gjerë i SPAK ka goditur një grup kriminal të dyshuar për pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme, ndërsa janë lëshuar gjithsej 10 masa sigurie ndaj personave të përfshirë.
Sipas informacioneve paraprake, deri më tani janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Bisha”, i cili konsiderohet një nga personat kryesorë të grupit kriminal. Ai është lokalizuar dhe arrestuar në një vilë brenda një zone rezidenciale.
Në kuadër të të njëjtit operacion, autoritetet italiane kanë arrestuar edhe Igli Kamberin, i dyshuar si drejtuesi i grupit. Sipas hetimeve, Kamberi akuzohet jo vetëm për aktivitet kriminal dhe pastrim parash, por edhe për përfshirje në vrasjen e një shtetasi italian.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane dhe pritet që në vijim të ketë detaje të tjera mbi aktivitetin e grupit, shtrirjen e tij dhe veprat penale për të cilat po hetohen të dyshuarit.
SPAK nuk ka dhënë ende një deklaratë të plotë zyrtare mbi operacionin, ndërsa hetimet vijojnë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)