“Shqiptaria është me Shkupin”, protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoni

Tubimi vjen pas protestës së zhvilluar më 18 maj në Shkup dhe synon të shprehë mbështetje të drejtpërdrejtë për kërkesat e studentëve shqiptarë në shtetin fqinj, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se mobilizimi do të vijojë deri në adresimin e plotë të kërkesave të tyre.

26.05.2026. 09:35

“Shqiptaria është me Shkupin”, protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoni

Tirana pritet të bëhet këtë të hënë qendra e një proteste solidarizuese në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët prej javësh po kërkojnë zbatimin e të drejtës për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

Nën moton “Shqiptaria është me Shkupin”, dhjetëra studentë dhe aktivistë do të mblidhen në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.

Tubimi vjen pas protestës së zhvilluar më 18 maj në Shkup dhe synon të shprehë mbështetje të drejtpërdrejtë për kërkesat e studentëve shqiptarë në shtetin fqinj, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se mobilizimi do të vijojë deri në adresimin e plotë të kërkesave të tyre.

Studentë nga Fakulteti i Drejtësisë kanë bërë të ditur se në protestë pritet të marrin pjesë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar këtë si një reagim qytetar për mbrojtjen e një të drejte themelore.

Organizatori Kol Marku ka theksuar se protesta nuk ka prapavijë politike, por synon të mbrojë një çështje që lidhet me identitetin dhe të drejtat kushtetuese të shqiptarëve.

“Qëllimi i këtij tubimi është të shprehim solidaritet me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe të mbrojmë të drejtat e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo nuk është një protestë politike, por një reagim qytetar për një të drejtë themelore”, është shprehur ai.

Ndërsa organizatori tjetër, Kristian Nela, ka nënvizuar rëndësinë e unitetit përtej dallimeve.

“Ky organizim është realizuar nga vetë organizatorët për të treguar unitet dhe për të dërguar mesazhin se interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo dallim tjetër", deklaroi ai.

Protesta është mbështetur publikisht edhe nga aktivisti Mevlan Ademi, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale bëri thirrje për mobilizim të gjerë.

“Zëri ynë nuk do të ndalet, ashtu siç nuk do të ndalet as kërkesa jonë pa kompromis për zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Më 26 maj mblidhemi në Tiranë në orën 17:00 dhe pas saj në Prishtinë, e më pas, bashkë si ‘të paedukatë’ që na quajnë, do të rikthehemi sërish në Shkup, kësaj here para Qeverisë që shkel mbi të drejtat tona me arrogancë. Ne nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk do të heshtim. Gjuha shqipe nuk negociohet”, shkroi Ademi.

Kërkesa për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe është kthyer në një nga temat më të ndjeshme për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ata argumentojnë se kjo e drejtë garantohet si nga Kushtetuta, ashtu edhe nga ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)