Panik dhe konfuzion është regjistruar në portin e Darling në Australi, pasi rreth 90 dronë ranë nga qielli gjatë një shfaqjeje të njohur me drita në festivalin “Vivid Sydney”.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e së hënës gjatë spektaklit ajror “Star-Bound”, ku dhjetëra dronë u panë duke duke rënë në ujërat e detit, pranë turmave të njerëzve që po ndiqnin shfaqjen. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dronët bien njëri pas tjetrit nga qielli, ndërsa dëgjohen zhurma të forta përplasjesh.
Kompania britanike Skymagic, e cila organizon shfaqjen, deklaroi se problemi u shkaktua nga një ndryshim i papritur në frekuencat radio pas ngritjes së dronëve. Sipas kompanisë, kjo ndikoi në sistemin e pozicionimit të disa pajisjeve, duke aktivizuar procedurat automatike të uljes emergjente.
Organizatorët thanë se 89 dronë përfunduan në ujë, por asnjë nuk ra jashtë zonave të sigurisë dhe nuk u raportuan të lënduar.
Për shkak të incidentit, dy shfaqje të tjera të planifikuara janë anuluar, ndërsa autoritetet dhe organizatorët kanë nisur një hetim të plotë për të vlerësuar sigurinë e eventit.
Festivali “Vivid Sydney”, i cili organizohet çdo vit që prej vitit 2009, konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të dritës dhe artit në hemisferën jugore. Ai tërheq mijëra turistë dhe vizitorë me instalacione ndriçimi, muzikë dhe projeksione vizuale në pika ikonike të Sidneit, përfshirë “Opera House”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)