Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mashtron me pensionistët për bonuset. Sipas tij kjo është shtresa që goditet më rëndë nga rritja e çmimeve.
"Rritja stratosferike e çmimeve, e ndikuar thellësisht nga kriza energjetike, ka goditur dhe godet çdo ditë e më shumë këtë shtresë të mashtruar, të injoruar në shkallë ekstreme nga qeveria. Së pari dua të theksoj se skema e bonusit, e përdorur në zgjedhjet e 11 majit, pas zgjedhjeve faktohet një mashtrim i vërtetë. Kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025. Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve.Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit.
Pra, nuk po u mundësohet pensionistëve me çmimet stratosferike që rriten nga java në javë, nga muaji në muaj.
Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 përqind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime, marrin dy kile domate apo tre kile tranguj.
Faktikisht bonusi që përfitohet sipas kësaj skeme përjashton pothuajse tërësisht të gjithë pensionistët me pensione invaliditeti, pensione jo të plota e me radhë.
Kështu që çdo ditë jeta e pensionistëve bëhet më e vështirë.
Në qoftë se kemi parasysh sot çmime që nuk kanë ekzistuar kurrë në tregun e zarzavateve, treg në të cilin një kg domate shitet të paktën 7 herë më shtrenjtë se 7-8 vite më parë, pra kjo bën që kjo shtresë prej 750 mijë qytetarësh të ndjenjë pamundësinë dhe vështirësi të mëdha ditore për ushqimin e vet.
Kjo bën që kjo shtresë të mos mund të blejë ilaçet që i duhen për mjekimin ditor të sëmundjeve, dhe dihet se incidenca e sëmundjeve kronike në këtë shtresë është shumë, shumë e lartë", tha ai.
Berisha kërkoi përgjysmim të taksave mbi naftën, kompensim për shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël.
"Në këtë kuadër, është e domosdoshme së pari dhe njëherë përgjysmimi i ngarkesës fiskale, ose ulja e ngarkesës fiskale për litrin e naftës në nivelin e vendeve përreth, në nivelin që e ka sot Maqedonia dhe Kosova, nivel që është pothuajse 50 përqind më i ulët se sa në Shqipëri.
Çdo manovër tjetër është absolutisht inefikase dhe është totalisht në favor të arkës së qeverisë.
Gjer sot qeveria nuk ka asnjë ulje sepse ka vendosur nivelin 220, por problemi është se nga rritja e çmimit të naftës nga 170 në 220, qeveria akumulon rreth 80 milionë euro në vit.
Asnjë qindarkë e tyre nuk është shpërndarë as për pensionistët, as për qytetarët.
Kështu që krahas përgjysmimit të nivelit të taksimit të litrit të naftës, e domosdoshme kjo, nuk ka një vend në botë, nuk ekziston asnjë vend tjetër në botë që të ketë taksuar litrin e naftës 60 përqind të çmimit me të cilin shitet.
Ky është niveli më i lartë në botë i taksave për litrin e naftës.
Prandaj ulja me urgjencë e kësaj barre fiskale është e domosdoshme për të parandaluar sadopak, për të amortizuar sadopak pasojat shumë të rënda të efekteve të rritjes së çmimit të naftës.
Përveç kësaj, është e domosdoshme që shtresat në nevojë, bizneset e vogla të marrin kompensimin e tyre për rritjen e çmimit të naftës, një kompensim i cili i mbron, u jep mundësive pensionistëve të vazhdojnë jetën e tyre dhe u jep mundësi bizneseve të vogla që të përballojnë rritjen e çmimeve, të mos falimentojnë", tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)