Kryeministri Edi Rama ka hedhur sërish poshtë zërat për bllokim të negociatave me Bashkimin Europian. Gjatë prezantimit të portalit për punësimin në sektorin publik, Rama tha se jemi në proces testimi të vazhdueshëm dhe se negociatat nuk janë shëtitje në lëndinë.
"Flitet e përflitet lart e poshtë se negociatat janë bllokuar, janë ndaluar, janë bllokuar. Kjo është totalisht e pavërtetë, kush i thotë nuk e ka idenë për çfarë flet. Negociatat nuk janë shëtitje në lëndinë, po një proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme. Dhe ky provim që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është një provim kyç po ama nuk ka absolutisht zero motiv për të folur për bllokim, pengim. Jemi totalisht sipas agjendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive, dhe pas studimeve do të jetë dhe vendimmarrja", tha ai.
Rama theksoi rëndësinë që ka administrata në procesin e integrimit, ai tha se përmes këtij portali do të ketë më shumë transparencë.
“Është një hap i rëndësishëm sepse krijon më shumë transparencë, ndërveprim mes individit në kërkim të një mundësie dhe shtetit që ka nevojë, prandaj i jep këto mundësi. Nga ana tjetër, përfshin për herë të parë një pasqyrë ku të gjitha mundësitë janë të ekspozuara”, u shpreh Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)