“Dërgoni propozimin për 48 orë”, SHBA “ultimatum” Teheranit për bisedimet: Khamnenei jep udhëzime për luftë

Nëse propozimi iranian do të mbërrijë në kohë, të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, planifikojnë të udhëtojnë në Gjenevë më 27 shkurt.

22.02.2026. 19:14

“Dërgoni propozimin për 48 orë”, SHBA “ultimatum” Teheranit për bisedimet: Khamnenei jep udhëzime për luftë

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh me Iranin në Gjenevë, për sa kohë që brenda 48 orëve të ardhshme të marrin një propozim të detajuar për një marrëveshje bërthamore. Lajmi raportohet nga “Axios”, duke cituar zyrtarë amerikanë. Sipas tyre, kjo përpjekje diplomatike mund të jetë mundësia e fundit që presidenti Trump do t’i japë Iranit para nisjes së një operacioni të madh ushtarak SHBA-Izrael, i cili mund të synojë drejtpërdrejt Udhëheqësin Suprem, Ali Khamenei.

“Nëse Irani do të paraqesë një draft-propozim, SHBA-të janë të gatshme të takohen në Gjenevë të premten për të nisur negociata të detajuara dhe për të parë nëse është e mundur arritja e një marrëveshjeje bërthamore”, tha një zyrtar i lartë amerikan për “Axios”. Të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët e këshilluan presidentin që ti japë një shans diplomacisë para sulmit të mundshëm, planifikojnë të udhëtojnë në Gjenevë më 27 shkurt. Gjithçka nëse propozimi iranian do të mbërrijë në kohë.

Sipas burimeve, administrata Trump dhe Irani mund të diskutojnë gjithashtu mundësinë e një marrëveshjeje të përkohshme, përpara se të bien dakord mbi një marrëveshje të plotë bërthamore. Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka ngarkuar Ali Larijani, kreun e sigurisë kombëtare dhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë politikë e ushtarakë, të garantojnë se Republika Islamike do të rezistojë ndaj çdo sulmi ushtarak nga SHBA-të dhe Izraeli. Gjithashtu, ata duhet të japing garanci edhe ndaj çdo tentative atentati kundër drejtuesve të saj, duke përfshirë edhe vetë Khamenein. Kjo raportohet nga “Neë York Times”, që ka kontaktuar gjashtë zyrtarë të lartë iranianë, mes tyre tre anëtarë të Gardës Revolucionare dhe dy ish-diplomatë.

Gazeta raporton se gjatë 16 ditëve të fundit të qershorit, kur Khamenei ishte i fshehur prej konfliktit me Izraelin, ai ka emëruar tre kandidatë potencialë për pasardhësin e tij. Irani gjithashtu po vendos raketa balistike përgjatë kufirit perëndimor me Irakun, mjaft afër për të goditur Izraelin. Sipas tre anëtarëve të Gardës dhe katër zyrtarëve të lartë, raketa po vendosen edhe përgjatë bregdetit jugor të Gjirit Persik, brenda rrezes së bazave amerikane dhe objektivave të tjera në rajon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)