Pavarësisht sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në vitin 2025, dyshimet se Irani ka vazhduar programin e tij atomik mbeten të forta.
Sipas raportimeve dhe analizave të imazheve satelitore, pas bombardimeve ndaj centraleve në Esfahan, Fordow dhe Natanz, janë vërejtur lëvizje të pazakonta në zona të tjera të Iranit. Në këto vende janë regjistruar mjete transporti, ndërtime të reja prej betoni dhe grumbuj të mëdhenj materialesh, çka ka shtuar dyshimet për aktivitete të fshehta bërthamore.
Një nga zonat më të përfolura është mali Kuh-e Kolang Gaz La, i njohur edhe si “Mali i Kazmës”, pranë objektit bërthamor të Natanzit. Sipas analistëve ndërkombëtarë, në tunele dhe bunkerë të ndërtuar qindra metra nën tokë mund të ruhen rezerva uraniumi të pasuruar dhe pajisje për programin bërthamor iranian.
Dyshohet se këto struktura janë ndërtuar në thellësi të mëdha për t’i mbrojtur nga sulme të mundshme ushtarake. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike nuk ka akses të plotë në këto objekte, pasi autoritetet iraniane nuk lejojnë inspektime të plota.
Një tjetër zonë që ka ngritur shqetësime është kompleksi ushtarak i Parchin, pranë Teheranit. Edhe pse Irani thotë se aty kryhen vetëm kërkime ushtarake konvencionale, prej vitesh ekzistojnë dyshime se në këtë bazë janë zhvilluar eksperimente të lidhura me armët bërthamore.
Sipas raporteve të mëparshme ndërkombëtare, në kompleks ndodhet një strukturë e njohur si “Taleghan 2”, e cila dyshohet se është përdorur për teste shpërthimesh të lidhura me programin atomik.
Irani i ka mohuar vazhdimisht akuzat për zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa tensionet me Perëndimin mbi programin e tij atomik vazhdojnë të mbeten të larta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)