Numri një i botës, Jannik Sinner është eliminuar në mënyrë surprizuese nga edicioni 2026 i Roland Garros, pasi u mposht nga argjentinasi Juan Manuel Cerundolo në një ndeshje dramatike me pesë sete. Italiani kishte kontroll total të sfidës në “Philippe Chatrier”, duke udhëhequr 6-3, 6-2, 5-1, por gjithçka ndryshoi gjatë setit të tretë.
Sinner shfaqi probleme fizike dhe shqetësime në stomak, duke humbur gradualisht energjinë dhe qartësinë në lojë. 24-vjeçari u largua përkohësisht drejt dhomave të zhveshjes për tw kontrolluar tensionin, por pas rikthimit në fushë nuk arriti më të gjente ritmin dominues të fillimit të ndeshjes.
Cerundolo përfitoi maksimalisht nga rënia e kundërshtarit, duke fituar setin e tretë 7-5 dhe më pas duke dominuar totalisht dy setet e fundit me rezultatin 6-1, 6-1. Argjentinasi siguroi kështu një fitore historike me rezultatin final 3-6, 2-6, 7-5, 6-1, 6-1 pas 3 orësh e 31 minutash lojë.
Eliminimi i Sinner ndryshon ndjeshëm balancat e turneut prestigjioz francez. Tashmë favoritët kryesorë për triumfin në Paris mbeten Alexander Zverev dhe Novak Djokovic. Gjermani ende kërkon titullin e tij të parë Grand Slam, ndërsa serbi synon trofeun e 25-të Major dhe triumfin e katërt në Roland Garros.
Me këtë humbje ndërpritet edhe seria prej 30 fitoresh radhazi për Sinner, i cili nuk arriti të mbrojë 1300 pikët e finales së humbur vitin e kaluar ndaj Carlos Alcaraz. Megjithatë, italiani do të vazhdojë të kryesojë renditjen ATP me 13.500 pikë, duke ruajtur një diferencë prej 3.540 pikësh ndaj spanjollit. Ndërkohë, është konfirmuar mungesa e tij në ATP 500 të Halle, ndërsa rikthimi në fushë pritet direkt në Wimbledon, ku do të mbrojë titullin e fituar në vitin 2025.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)