Crystal Palace shkruan historinë në Gjermani, rrëmben trofeun e Conference League në finalen ndaj Vallecanos

Crystal Palace ka shkruar historinë në Leipzig të Gjermanisë, duke fituar trofeun e parë europian në historinë e klubit pas suksesit 1-0 ndaj Rayo Vallecano në finalen e Conference League.

27.05.2026. 23:04

Crystal Palace shkruan historinë në Gjermani, rrëmben trofeun e Conference League në finalen ndaj Vallecanos

Crystal Palace ka shkruar historinë në Leipzig të Gjermanisë, duke fituar trofeun e parë europian në historinë e klubit pas suksesit 1-0 ndaj Rayo Vallecano në finalen e Conference League.

Skuadra angleze e drejtuar nga Oliver Glasner u bë ekipi i parë pas 38 vitesh që fiton një trofe kontinental në paraqitjen e parë në një finale europiane.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga Crystal Palace, që krijoi rastet e para me Ismaïla Sarr dhe Daichi Kamada, ndërsa spanjollët reaguan me tentativat e Alexandre Alemão dhe Unai López. Megjithatë, pjesa e parë u mbyll pa asnjë goditje në kuadrat, me tensionin dhe emocionet që dukeshin qartë te të dy ekipet në finalen e tyre të parë europiane.

Gjithçka u vendos në pjesën e dytë. Pas një aksioni të ndërtuar nga Adam Wharton, portieri Augusto Batalla grushtoi topin, por Jean-Philippe Mateta përfitoi nga rikthimi dhe e dërgoi topin në rrjetë nga afër, duke ndezur festën e tifozëve anglezë.

Foto: AP/Ebrahim Noroozi

Crystal Palace ishte pranë golit të dytë kur goditja e lirë e Yéremy Pino përfundoi në shtyllë, ndërsa Rayo Vallecano provoi të reagojë në minutat e fundit, por mbrojtja angleze rezistoi deri në fund.

Ky triumf shënon fundin perfekt të aventurës së Glasner në stolin e Crystal Palace, pasi trajneri largohet duke i dhuruar klubit suksesin më të madh në histori.

Për Rayo Vallecanon, pjesë e së cilës është edhe shqiptari Balliu, i cili ishte në stol, seria prej nëntë ndeshjesh pa humbje u ndërpre në momentin më të rëndësishëm, megjithatë skuadra spanjolle do ta kujtojë këtë sezon si një nga më të suksesshmit në historinë e saj europiane.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)