“Jam takuar me Muçin dhe Manajn”, Maran zbulon lojën e Shqipërisë: Ekip ofensiv me katër mbrojtës

Në konferencën e parë si trajner i Shqipërisë, Maran foli për mungesat e rëndësishme, rikthimet në ekip, situatën e Ivan Balliut, gjendjen e Ernest Muçit dhe idetë e tij për mënyrën se si do të luajë Kombëtarja në të ardhmen.

28.05.2026. 12:45

“Jam takuar me Muçin dhe Manajn”, Maran zbulon lojën e Shqipërisë: Ekip ofensiv me katër mbrojtës

Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka zbuluar filozofinë e tij të parë te kuqezinjtë, duke sqaruar zgjedhjet në listën për dy miqësoret ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Tekniku italian pranoi se vendimet nuk kanë qenë të lehta, ndërsa theksoi se në këtë fazë ka preferuar të ruajë vazhdimësinë e grupit të ndërtuar nga Sylvinho.

Në konferencën e parë si trajner i Shqipërisë, Maran foli për mungesat e rëndësishme, rikthimet në ekip, situatën e Ivan Balliut, gjendjen e Ernest Muçit dhe idetë e tij për mënyrën se si do të luajë Kombëtarja në të ardhmen.

“Do kisha dashur të ishte pak më e gjatë kjo listë. Kam dëshirë të shoh gjithë lojtarët dhe të kuptoj cilët janë më funksionalë për t’iu përshtatur ndeshjeve. Ka qenë e vështirë, por i jam referuar listës së madhe që ishte krijuar më parë. Kam punuar për të kuptuar gjendjen fizike të secilit lojtar dhe situatat e dëmtimeve”, deklaroi italiani.

Maran konfirmoi se ka pasur kontakte direkte me disa prej lojtarëve të dëmtuar, mes tyre edhe Ernest Muçi, Rey Manaj dhe Thomas Strakosha.

“Kemi komunikuar me Strakoshën dhe ai po vijon rikuperimin. Jam takuar me Muçin, Manajn dhe Gripshin, të cilët kanë ardhur këtu për vlerësimet mjekësore. Është e rëndësishme të punojmë në këtë aspekt për të marrë maksimumin nga këta lojtarë, sepse do të jenë shumë të rëndësishëm për Kombëtaren”, tha ai.

Një nga temat më të diskutuara ishte mungesa e Ivan Balliut. Maran zbuloi se mbrojtësi po mendon seriozisht largimin nga Kombëtarja.

“Fola me Balliun 3-4 ditë më parë. Ishte shumë i sinqertë dhe kjo më pëlqeu. Ai më kërkoi kohë sepse nuk e di ende nëse do të vazhdojë aventurën me Kombëtaren. M’u duk e drejtë t’ia jepja këtë kohë një lojtari që ka dhënë shumë për Shqipërinë dhe ka nevojë të reflektojë”, u shpreh trajneri kuqezi.

Sa i përket mungesës së Jasir Asanit, Maran e lidhi vendimin me mungesën e aktivizimit të sulmuesit pas ndërprerjes së kampionatit në Iran.

“Jasir Asani nuk është pjesë e listës sepse nuk po luan. Nuk kam folur personalisht me të, por kanë komunikuar bashkëpunëtorët tanë. Duke qenë se ka kohë pa minuta dhe kampionati është ndalur, do të ishte e vështirë ta ftonim për këto dy ndeshje”, theksoi italiani.

Trajneri i ri i Shqipërisë foli edhe për filozofinë e tij taktike, duke bërë të qartë se synon një ekip ofensiv, por pa nxituar në eksperimentet e para.

“Jemi të gjithë të uritur për rezultate. Të fitosh të ndihmon të fitosh edhe më shumë. Duke pasur pak kohë në dispozicion, ishte e vështirë të dilja jashtë listës së pritshme. Dua të kuptoj çfarë funksionon mirë nga ky bllok lojtarësh që ka bërë mirë deri tani dhe çfarë mund të përmirësohet për të aplikuar futbollin tim”, deklaroi ai.

Maran shtoi se objektivi i tij është që Shqipëria të luajë me katër mbrojtës dhe me një qasje më sulmuese.

“Qëllimi është të kemi një mbrojtje me katër lojtarë dhe të përdorim tre futbollistë ofensivë. Por dua t’i shoh lojtarët në fushë përpara se të marr vendime definitive për modulin. Nuk dua të bëj zgjedhje të nxituara”, tha tekniku italian.

Në fund, ai konfirmoi se do të ndjekë nga afër edhe Kombëtaren U21, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit shqiptar.

“Pas këtyre dy ndeshjeve do të punoj për t’i kushtuar vëmendje edhe U21. Një pjesë të lojtarëve i njoh dhe do të kem mundësi t’i ndjek nga afër në ndeshjen me Italinë. Ky është hapi i radhës për të ndërtuar të ardhmen e Kombëtares”, përfundoi Maran

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)