Gjyqi i Laert Haxhiut, Cllevio shkon në GJKKO, do dëshmojë për tritolin në lokalin e Noizy-t

Në pamjet e publikuara nga ambientet e gjykatës, Cllevio shihet teksa pyet punonjësit e sigurisë për hyrjen e institucionit, përpara se të futet në sallën ku po zhvillohet seanca gjyqësore. Ai është thirrur për të dëshmuar për vendosjen e tritolit në lokalin në pronësi të familjes së reperit Noizy.

28.05.2026. 14:30

Gjyqi i Laert Haxhiut, Cllevio shkon në GJKKO, do dëshmojë për tritolin në lokalin e Noizy-t

Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur me emrin e artit “Cllevio”, është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të procesit që lidhet me vendosjen e tritolit në lokalin në pronësi të familjes së reperit Noizy në Durrës.

Në pamjet e publikuara nga ambientet e gjykatës, Cllevio shihet teksa pyet punonjësit e sigurisë për hyrjen e institucionit, përpara se të futet në sallën ku po zhvillohet seanca gjyqësore.

Ai është thirrur për të dëshmuar në procesin ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesë e grupit kriminal që, sipas SPAK, drejtohej nga Laert Haxhiu. Në dosjen hetimore përfshihet edhe episodi i shpërthimit me eksploziv në biznesin e familjes Rajku, ngjarje e ndodhur më 8 qershor 2022 në zonën e Currilave, në Durrës, pas një sherri mes Cllevio-s dhe Noizy-t, i nisur nga rrjeti social Tik Tok.

Dy javë më parë në GJKKO dëshmoi Bashkim Rajku, babai i reperit Noizy, i cili tregoi momentet e natës së shpërthimit që shkaktoi dëme të shumta materiale në lokalin e familjes.

“Unë në ato momente kam qenë në gjumë. Kemi gjetur lokalin të shkatërruar. Banesën e kam në të njëjtin objekt dhe e dëgjuam zhurmën. Kur zbrita poshtë pashë xhamat e thyer dhe gjithçka të prishur”, deklaroi ai para togave të zeza.

Rajku tha se familja nuk kishte dijeni për autorët apo motivet e sulmit, ndërsa shtoi se nuk kishin pasur konflikte të drejtpërdrejta me askënd. I pyetur për marrëdhënien mes djalit të tij dhe Cllevios, ai pranoi se kishte pasur tensione të vogla mes dy reperëve, të lidhura me konkurrencën në muzikë.

“Konflikt të madh nuk kemi pasur, por çështje xhelozie dhe fërkime për muzikën. Nuk di të ketë pasur konflikt fizik mes tyre”, u shpreh Bashkim Rajku.

Në të njëjtin proces po dëshmon edhe i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka dhënë detaje për disa episode kriminale që SPAK ia atribuon grupit të Laert Haxhiut, përfshirë edhe atentatin me eksploziv ndaj biznesit të familjes Rajku.

Për këtë ngjarje, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj Artan Tafanit, si dhe ndaj Lulëzim Spahias dhe Erisiano Abedinit. Vetë Noizy nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit gjyqësore. Për të pritet të përsëritet fletëthirrja, ndërsa procesi vijon me dëshmitarë të tjerë të thirrur nga SPAK.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)