Turqia po hyn agresivisht në garën globale për të tërhequr miliarderë, investitorë dhe pensionistë të huaj, duke ofruar një nga regjimet fiskale më të favorshme në botë. Me një reformë të re të miratuar nga parlamenti, qeveria e Recep Tayyip Erdogan premton deri në 20 vite pa taksa për të ardhurat e krijuara jashtë Turqisë për rezidentët e rinj fiskalë.
Paketa synon ta shndërrojë Stambollin në një qendër financiare ndërkombëtare që konkurron Dubai, Singaporin dhe Hong Kongun. Sipas ministrit të Financave Mehmet Şimşek, objektivi është krijimi i një “hub”-i rajonal për kapitalet globale, në një kohë kur shumë vende europiane po shtrëngojnë politikat fiskale për të pasurit.
Sipas modelit të ri, të huajt që transferojnë rezidencën fiskale në Turqi nuk do të paguajnë taksa për dividendët, fitimet financiare apo të ardhurat nga investimet e realizuara jashtë vendit. Për më tepër, këto të ardhura nuk do të deklarohen fare pranë autoriteteve turke.
Reforma parashikon gjithashtu ulje drastike të taksës së trashëgimisë në vetëm 1%, si dhe një tjetër amnisti fiskale për kapitalet e mbajtura jashtë vendit. Para, ar, valutë dhe letra me vlerë mund të rikthehen në Turqi me norma minimale tatimore.
Ankaraja po synon edhe kompanitë ndërkombëtare dhe holdingjet globale, duke ofruar lehtësime të mëdha për bizneset që vendosen në Istanbul Financial Center, distrikti i ri financiar në pjesën aziatike të Stambollit.
Strategjia vjen në një moment kur Britania ka kufizuar regjimin “non-dom”, Portugalia ka ashpërsuar përfitimet fiskale për të huajt dhe Italia ka rritur kostot e “flat tax” për rezidentët e rinj. Turqia po përpiqet të mbushë pikërisht këtë boshllëk në tregun global të kapitalit.
Megjithatë, ekonomia turke vazhdon të përballet me probleme serioze. Inflacioni mbetet mbi 30%, lira turke është nën presion dhe tregjet financiare po reagojnë me nervozizëm ndaj tensioneve politike të brendshme. Kritikët thonë se “amnistia fiskale” është më shumë një përpjekje për të tërhequr valutë të huaj sesa një reformë afatgjatë ekonomike.
Financial Times e ka cilësuar paketën si një tjetër “amnisti fiskale” të Erdogan, ndërsa analistët theksojnë kontradiktën mes ofertës për stabilitet fiskal dhe shqetësimeve të vazhdueshme për sistemin e drejtësisë, inflacionin dhe klimën politike në Turqi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)