Autoritetet e Kosovës marrin nën kontroll infrastrukturën hekurudhore në veri

Megjithatë, këto lëvizje janë kundërshtuar nga komuniteti serb lokal dhe janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare

Burimi: REL

28.05.2026. 13:00

Autoritetet e Kosovës marrin nën kontroll infrastrukturën hekurudhore në veri

Autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq, dy komuna me shumicë serbe në veri të vendit.

Gjatë aksionit, policia ka asistuar në marrjen e stacioneve hekurudhore, ku janë hequr tabelat e “Hekurudhave të Serbisë” dhe janë vendosur tabela të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës” dhe flamurin e Kosovës.

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklaroi se institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë janë ilegale dhe se ligji duhet të zbatohet në të gjithë territorin e vendit.

Ndërsa ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se objektet hekurudhore në veri tashmë do të menaxhohen nga ndërmarrja publike INFRAKOS. Sipas tij, kjo do të ndihmojë në modernizimin dhe funksionalizimin e rrjetit hekurudhor në veri.

Veprimi është pjesë e masave të ndërmarra nga Kosova gjatë viteve të fundit për mbylljen e institucioneve serbe në zonat me shumicë serbe.

Megjithatë, këto lëvizje janë kundërshtuar nga komuniteti serb lokal dhe janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar që çështje të tilla të zgjidhen përmes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)