Operacioni i koduar “Shqipëria”, plani sekret i BE-së për falimentimin dhe nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona

Sipas dëshmive të ish-zyrtarëve europianë dhe të FMN-së, skenari i njohur si “Plan B” ishte hartuar në fshehtësi të plotë nga ekspertë të Komisionit Europian, BQE-së dhe FMN-së për të menaxhuar një Grexit të mundshëm, në kulmin e krizës së vitit 2015.

Burimi: Skai.gr

26.05.2026. 11:46

Operacioni i koduar “Shqipëria”, plani sekret i BE-së për falimentimin dhe nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona

Dokumentari “Deri në të Mijtën” i televizionit grek Skai, ka zbuluar prapaskenat më të errëta të krizës financiare helene, duke nxjerrë në dritë një plan sekret 139-faqësh me emrin e koduar “Shqipëria”, për nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona dhe, potencialisht, nga struktura e Bashkimit Europian.

Sipas dëshmive të ish-zyrtarëve europianë dhe të FMN-së, skenari i njohur si “Plan B” ishte hartuar në fshehtësi të plotë nga ekspertë të Komisionit Europian, BQE-së dhe FMN-së për të menaxhuar një Grexit të mundshëm, në kulmin e krizës së vitit 2015.

Ish-kreu i grupit të punës së Eurozonës, Thomas Wieser, zbulon se plani parashikonte deri në detaje menaxhimin e kolapsit financiar: pezullim pagesash, kontrolle të forta kapitali, rikthimin e një monedhe të re kombëtare dhe madje përdorimin e kartëmonedhave euro të shpuara ose të vulosura përkohësisht, derisa të shtypeshin paratë e reja.

“Ne e kishim përpunuar deri në detajet e fundit. Edhe kush do të dërgonte avionë ushtarakë për të marrë turistët e bllokuar”, rrëfen Wieser.

Sipas Martin Verwey, emri “Shqipëria” u zgjodh si një kamuflim i qëllimshëm për të fshehur natyrën reale të dokumentit. Titulli ishte frymëzuar nga filmi Wag the Dog, ku inskenohet një konflikt fiktiv në Shqipëri për të shpërqendruar opinionin publik.

Dokumenti mbante titullin formal “Analiza dhe plani i emergjencës në Shqipëri”, ndërsa në realitet përshkruante skenarët e daljes së Greqisë nga euro. Margaritis Schinas pranon se ishte në dijeni të ekzistencës së planit, duke vënë në dukje se edhe përgatitja e tij krijoi një presion të madh.

Plani parashikonte që depozitat bankare të konvertoheshin në një monedhë të re, e cila do të zhvlerësohej menjëherë me 60% deri në 80%. Verwey paralajmëronte se borxhi grek mund të arrinte deri në 500%-600% të PBB-së, duke e bërë situatën të pakontrollueshme.

“Njerëzit në Greqi do të paguanin çmimin më të madh. Më të dobëtit gjithmonë goditen më fort në këto kriza”, tha ai.

Edhe guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras, e cilësoi skenarin si “një katastrofë ekonomike dhe sociale”.

Sakaq, ish-presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pranoi se në vitin 2015 dalja e Greqisë nga Eurozona nuk mund të përjashtohej më. “Gjithmonë kam qenë kundër kësaj, por duhej të ishim gati nëse ndodhte”, është shprehur ai.

Ndërkohë, ish-kryeministri grek Alexis Tsipras akuzohet se refuzoi propozime kyçe, ndërsa ish-kryeministri Antonis Samaras deklaron se e hodhi poshtë kategorikisht çdo diskutim për daljen nga euro.

Një tjetër detaj tronditës vjen nga ish-kreu i ESM-së, Klaus Regling, i cili zbulon se FMN përfitoi rreth 5 miliardë dollarë nga programi grek, një shumë që korrespondon me disa vite funksionimi të institucionit.

Dokumentari ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si kriza greke u menaxhua nga BE-ja, duke sugjeruar se për vite me radhë, pas dyerve të mbyllura, Europa kishte përgatitur skenarin ekstrem të largimit të Greqisë nga Eurozona me emrin e koduar që askush nuk do ta priste: “Shqipëria”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)