Për Stephan El Shaarawy fundi i sezonit nuk mund të ishte më i veçantë. Sulmuesi italian, i cili fundjavën e kaluar realizoi golin që siguroi kualifikimin e Romës në Champions League, është martuar me partneren e tij, influencuesen Ludovica Pagani.
Çifti kurorëzoi dashurinë me një ceremoni civile të zhvilluar më 27 maj në ish-kishën Santa Maria in Tempulo, pranë Koloseut dhe Circus Maximus në Romë. Në ceremoni morën pjesë familjarë dhe miq të afërt, ndërsa dëshmitarë ishin vëllezërit e çiftit.
Pamjet nga ceremonia janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku çifti është përgëzuar nga tifozët e Romës dhe ndjekësit e tyre.
Për ditën e veçantë, Pagani zgjodhi një kostum të bardhë elegant në vend të fustanit tradicional të nusërisë, ndërsa El Shaarawy u shfaq me një kostum blu klasik.
Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2020, por u bë publike vetëm disa vite më vonë. Pak muaj më parë, futbollisti i propozoi martesë partneres së tij në një tarracë romantike në Romë.
Ndërkohë, ceremonia fetare e martesës pritet të zhvillohet gjatë muajit qershor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)